Shtëpia e Bardhë: Ripushtimi i Gazës nga Izraeli do të ishte gabim

by admin
Spread the love

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara, John Kirby, tha se ka të ngjarë që Izraeli të mbajë prani ushtarake në Gazë “për një periudhë kohore” pasi të mbarojë lufta, por shtoi se SHBA-ja beson se do të ishte “gabim” për Izraelin nëse do të ripushtonte territorin.

“Mendoj se të gjithë ne parashikojmë një periudhë kohore pasi të ketë mbaruar konflikti kur forcat izraelite me gjasë do të vazhdojnë të jenë në Gazë dhe do të kenë disa përgjegjësi fillestare të sigurisë”, tha Kirby për CNN.

“Por, për sa kohë dhe sa do të jetë madhësia [e forcave izraelite], mendoj se është herët të dihet”, shtoi ai.

Kirby tha se SHBA-ja është e përqendruar në hartimin e një strukture afatgjate qeverisëse për Gazën, pasi të mbarojë konflikti aktual. Por, ai shtoi se ende ka pak perspektivë për një plan të zbatueshëm.

“Mendoj se ka shumë pyetje dhe jo shumë përgjigje. Ne e dimë se çfarë nuk duam të shohim në Gazën e pasluftës, ne nuk duam ta shohim Hamasin në kontroll dhe ne nuk duam të shohim një ripushtim nga Izraeli”, tha zyrtari amerikan.

Ai shtoi se SHBA-ja nuk mund ta zgjidhë këtë çështje vetëm, prandaj Uashingtoni po angazhohet me partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë për këtë çështje.

Një ditë më herët, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se shteti i tij do të ketë “përgjegjësi për sigurinë e përgjithshme” në Rripin e Gazës për një kohë të pacaktuar pasi të ketë përfunduar lufta me militantët palestinezë të Hamasit.

Që nga 7 tetorit, kur Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë 1.400 persona dhe marrë peng mbi 200 të tjerë, Izraeli ka sulmuar Rripin e Gazës nga ajri dhe toka.

Izraeli ka thënë se synon që të shkatërrojë aftësitë qeverisëse dhe ushtarake të Hamasit.

Si pasojë e konfliktit, në Rripin e Gazës – shtëpi e 2.3 milionë palestinezëve – janë vrarë mbi 10.000 palestinezë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në këtë territor që kontrollohet nga Hamasi.

Trupat izraelite dhe kolonët u tërhoqën nga Gaza më 2005, por Izraeli vazhdoi të mbante kontrollin e hapësirës ajrore dhe bregdetin e territorit. Hamasi mori pushtetin nga forcat besnike të presidentit të Autoritetetit Palestinez, Mahmoud Abbas më 2007./ rel


Top Channel

You may also like