Shtëpia Bardhë: Irani mund të furnizojë Rusinë me raketa balistike

by admin
Spread the love

Shtëpia e Bardhë tha të martën se Irani mund ta furnizojë Rusinë me raketa balistike për përdorim në Ukrainë.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se Shtetet e Bashkuara do ta ndjekin nga afër situatën mes Iranit dhe Rusisë dhe se do të ndërmarrin veprimet e duhura sipas nevojës.

Kirby tha se Irani e kishte furnizuar Rusinë me dronë, bomba ajrore të komanduara dhe municione artilerie që Moska i ka përdorur për të sulmuar Ukrainën.

“Irani mund të jetë duke u përgatitur që të shkojë një hap më tej në mbështetjen për Rusinë. Jemi të shqetësuar se Irani tani po shqyrton furnizimin e Rusisë me raketa balistike për përdorim në Ukrainë”, tha Kirby.

Në shkëmbim të kësaj mbështetjeje, tha ai, Rusia i kishte ofruar Teheranit “bashkëpunim të paprecedentë në fushën e mbrojtjes” përfshirë raketat, elektronikën dhe mbrojtjen ajrore. Irani po kërkon të blejë miliarda dollarë pajisje ushtarake nga Rusia, përfshirë helikopterë sulmues, radarë dhe avionë stërvitës luftarak.

Ai tha se grupi mercenar Wagner, nën drejtimin e Moskës, po përgatitej të siguronte aftësi të mbrojtjes ajrore për Hezbollahun ose Iranin.

Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura të përdornin autoritetet e saj të sanksioneve kundër terrorizmit, kundër individëve ose subjekteve ruse që mund t’i bëjnë këto “transferime destabilizuese”, tha ai.

Shtëpia e Bardhë tha në muajin maj se po vërente më shumë tregues se Rusia dhe Irani po zgjeronin një partneritet të paprecedentë në fushën e mbrojtjes që do ta ndihmonte Moskën që të zgjaste luftën e saj në Ukrainë, si dhe do të përbënte kërcënim për fqinjët e Iranit. /VOA


Top Channel

You may also like