Shoqata dhe organizata të gazetarëve: Konsensus politik për korrupsion mediatik përmes keqpërdorimit të flamurit evropian në Parlament

by admin
Spread the love

Ne, organizatat profesionale gazetareske dhe shoqatat civile nga sektori mediatik në Maqedoni, jemi kategorikisht kundër përpjekjeve për kthimin e reklamave shtetërore në media para zgjedhjeve, të bëra me procedurë të shkurtuar dhe me keqpërdorim të flamurit evropian.

Bëhet fjalë për Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuele, me procedurë të shkurtuar, i cili është në lexim të dytë në Kuvend. Alarmojmë se ndryshimi i planifikuar i këtij ligji paraqet shkelje të rëndë të proceseve themelore demokratike përmes të cilave kërcënohet roli dhe pavarësia e mediave dhe rregullatorit të medias.

Problemet e veçanta në këtë zgjidhje të pafat ligjore që theksojmë janë:

Ndikimi partiak dhe varësia e medias: futja e fushatave shtetërore në media, veçanërisht në kontekstin parazgjedhor, mund të interpretohet si një tentativë për ryshfet partiak dhe krijim të varësisë së medias, gjë që seriozisht e rrezikon pavarësinë dhe pluralizmin e tyre, dhe rrjedhimisht procesin zgjedhor që pason.

Prishja e tregut mediatik dhe e proceseve integruese evropiane: keqpërdorimi i flamurit evropian dhe aplikimi i një procedure të shkurtuar për ndryshimin e ligjeve të medias shmang debatin e nevojshëm parlamentar, duke shkelur parimet e llogaridhënies dhe transparencës dhe shmangien e ndikimit partiak.

Injorimi i kritikave nga ekspertët dhe organizatat ndërkombëtare: ekspertët e mediave dhe organizatat ndërkombëtare vazhdimisht kanë shprehur kundërshtime serioze ndaj ndryshimeve të propozuara ligjore, duke i vlerësuar ato si të pa harmonizuara me direktivat e BE-së dhe të dëmshme për peizazhin mediatik dhe interesin publik në Maqedoni.

Anti-kushtetutshmëria e amendamenteve të propozuara: disa nga amendamentet e propozuara janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me të drejtat themelore kushtetuese për lirinë e shprehjes dhe informimit, duke krijuar kushte të pabarabarta tregu për lloje të ndryshme mediash dhe duke cenuar parimet e barazisë dhe transparencës.

Për këtë arsye kërkojmë tërheqjen e menjëhershme të amendamenteve të propozuara ligjore dhe apelojmë deri tek partitë politike që t’i kenë parasysh vërejtjet dhe paralajmërimet tona. Ne besojmë se është koha e fundit për të krijuar një Fond të Pluralizmit Mediatik, i cili do të mbështesë gazetarinë cilësore dhe prodhimin e përmbajtjeve të larmishme,  në kundërshtim me reklamat shtetërore që shërbejnë si një mjet për ndikim dhe kontroll politik, si dhe të konsiderohen mundësi të tjera të propozuara si p.sh. përjashtimi nga tatimet për gazetarët dhe punonjësit e medias.

Zgjidhjet e propozuara për të cilat ne evokojmë, do të mundësonin mbështetjen financiare të medias pa ndikimin e agjendave politike, duke siguruar ekuilibër dhe mbështetje për raportim të pavarur dhe objektiv, i cili është thelbësor për një demokraci të shëndetshme dhe ndërgjegjësim publik, duke hapur gjithashtu mundësinë e krijimit të mekanizmave që do të garantonin se fondet do të përdoren për të përmirësuar cilësinë e gazetarisë dhe gjendjen socio-ekonomike të profesionistëve të medias.

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM)

Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve Medatik (SPGPM)

Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë (KEMM)

Instituti Maqedonas për Media (IMM)

Instituti për Kërkime për Zhvillimin Social (IKZHS)

Instituti për Studime të Komunikimit (ISK)

Qendra për Zhvillimin e Medias (QZHM)

MARKETING



You may also like