SHËN PETËRBURG – Putin hedh poshtë pretendimet e Ukrainës për marrje territoresh të pushtuara

by admin
Spread the love

SHËN PETËRBURG, 17 qershor /ATSH-DPA/ – Presidenti rus Vladimir Putin, duke folur në një forum ekonomik në Shën Petërburg, hodhi poshtë raportet për sukseset e Ukrainës në vijën e frontit.

“Ata në asnjë moment nuk i kanë arritur qëllimet e tyre”, pohoi dje Putin gjatë një paraqitjeje në Forumin Ekonomik Ndërkombëtar në Shën Petërburg.

Ukraina, e cila ka mbrojtur veten për gati 16 muaj kundër pushtimit të plotë të Rusisë, ka pretenduar për disa ditë fitime të vogla në terren në kundërsulmin e saj të vazhdueshëm.

Vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmojnë gjithashtu sukseset fillestare të Ukrainës në çlirimin e territoreve të pushtuara.

Putin kritikoi edhe një herë dërgesat e armëve perëndimore në Ukrainë duke thënë se “sigurisht, ne shohim se vendet perëndimore po bëjnë përpjekje maksimale në mënyrë që Rusia të pësojë disfatë në fushën e betejës”.

”Por, industria ruse e armëve tashmë ka më shumë se dyfishuar prodhimin e saj në krahasim me vitin e kaluar”, tha ai.

Rritja e supozuar e prodhimit nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur fillimisht.

Ndërkohë, deklarata e Putinit për sistemet kundërajrore ”Patriot”, të cilat dyshohet se i shkatërroi ushtria ruse, bëri bujë në mediat kritike ruse.

Putin pretendoi se gjithsej pesë ”Patriotë” ishin nxjerrë jashtë veprimit në rajonin e Kievit, por Ukraina ka marrë vetëm dy sisteme të tilla nga partnerët perëndimorë, një prej tyre nga Gjermania.

Që nga fillimi i luftës më 24 shkurt 2022, veçanërisht pala ruse ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen me deklarata të rreme ushtarake apo ekzagjerime./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like