Shehi: Duhet durim dhe qetësi, tifozët nuk kanë nevojë për ftesë

by admin
Spread the love

Trajneri i Tiranës, Orges Shehi ka folur në një konferencë për shyp për mediat në prag të ndeshjes së kthimit kundër Dudelange, që do të luhet nesër në orën 20:00 në “Air Albania”.

Kampionët e Shqipërisë u mposhtën 1-0 në Luksemburg në ndeshjen e parë, një sfidë që u transmetua live në Oversport dhe Tibo, dhe tashmë kërkojnë përmbysjen në ndeshjen e kthimit, që të kualifikohen në turin e dytë të Champions League.

Tekniku i bardhebluve është optimist se djemtë e tij mund ta arrijnë këtë objektiv.

”Kemi besim te forcat tona dhe loja që do të bëjë skuadra. Ka shumë faktorë që ndikuan tek paraqitja e ndeshjes së parë nuk ishte pozitive, por kemi besim se nesër do të kryejmë një performancë shumë herë më të mirë.

Çdo fushë ku luajmë ne, skuadra ka avantazhin e vet, edhe për shkak të përmasave. Hera e parë që e pashë atë lloj stadiumi, me ato përmasa. Flas me aq eksperiencë sa kam unë.

Nesër luajmë në fushën tonë, ai shtet me potencial të madh ekonomik nuk ka një stadium si i yni. Shpresoj të shfrytëzojmë faktin që do luajmë në fushën tonë.

Shqetësimet për ndeshjen janë të mëdha. Duhet të kuptosh se çfarë ndodh që të reagosh. Shqetësimet i them përpara skuadrës, nuk i tregoj këtu. Jemi të qartë dhe të vetëdijshëm se çfarë duhet të bëjmë nesër.

Është e vërtetë që ne luajtëm ngadalë dhe lejuam kundërshtarin të luante shpejt. Këtë ndeshje të tregojmë që kundërshtari është i fortë, ose të jemi skuadër tjetër dhe ta bëjmë kundërshtarin që duket shumë i vogël.

Ana psikologjike ndikon te lojtarët dhe personat që janë ballë për ballë. Fjalët ndikojnë, por unë mendoj se ne duhet ta marrim me durim dhe qetësi ndeshjen nesër. Ndeshja mbaron për 90 minuta, ndoshta edhe më shumë. Duhet të kemi durim.

Lojtarët duhet të shijojnë ambientin dhe kompeticionin, duke vrapuar, duke luftuar dhe duke fituar duele. Të jemi seriozë përpara ndeshjes, të qeshim pas ndeshjes…

Në këtë klub nuk ka nevojë për ftesa për tifozët. Ata kanë qenë të mrekullueshëm, kanë qenë gjithmonë prezent. Ky klub nuk do ekzistonte pa praninë e tyre, jam i sigurt që do të jenë të shumë në stadium. Të bëjmë maksimumin tonë edhe për tifozët.

Premio? Klubi ka qenë gjithmonë mbështetës i skuadrës, edhe në ndeshjet e kampionatit. Kjo mbështetje financiare nuk mungon, e kemi suportin financiar të klubit, presidenca e ka shprehur, por unë përqendrohem tek aspekti sportiv”, ka thënë mes të tjerash trajneri i Tiranës. / Oversport.tv

You may also like