SHBA, rrjedhja e dokumenteve cënim i Sigurisë Kombëtare: Preken vendet aleate?

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Rrjedhja e dokumenteve sekrete amerikan mbi luftën e Ukrainës, tani po trajtohet si “kërcënim” i mirëfilltë për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Departamenti i Drejtësisë është duke zhvilluar një hetim mbi ngjarjen, por ndërkohë, Chris Meagher, ndihmës sekretar i mbrojtjes për çështjet publike, pohoi se materialet që qarkullojnë në media të ndryshme sociale, “kanë potencialin të përhapin dezinformim”.

“Ende po hetojmë se si ndodhi, dhe se çfarë përmasash ka çështja. Janë ndërmarrë hapa për të shqyrtuar se si shpërndahet ky lloj informacioni dhe kujt i jepet. Dokumentet duket të jenë të ngjashme në format me ato që përdoren për të informuar drejtuesit e lartë, por se disa prej imazheve duket se mund të jenë ndryshuar”, tha ai.

Problemi, sipas zyrtarit të lartë amerikan qëndron pikërisht këtu: mënyra sesi është ndërhyrë e janë tjetërsuar informacionet. Dokumentet e klasifikuara filluan të shfaqen fillimisht në platformën Discord në fund të muajit shkurt, dhe në vazhdim u përhapën në media të tjera sociale, përfshirë në rrjetet Telegram dhe Twitter. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, John Kirby, rrëfeu se ka ende shumë pikëpyetje që rrethojnë nxjerrjen e këtyre të dhënave të klasifikuara.

 “Nuk dimë se kush është pas kësaj. Nuk dimë motivin. Dhe nuk dimë çfarë ka tjetër që qarkullon”, tha John Kirby.

Kirby foli dhe për shqetësimin se dokumentet përmbajnë informacion për aleatët e Shteteve të Bashkuara, duke sqaruar se “zyrtarët amerikanë kanë qenë në kontakt me aleatët dhe partnerët në fjalë gjatë ditëve të fundit në nivelet më të larta”. Zëvendës zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Vedant Patel tha të hënën se zyrtarët amerikanë janë angazhuar me aleatët për këtë çështje, “ndër të tjera për t’i siguruar ata për përkushtimin tonë për ruajtjen e të dhënave të zbulimit”.


Top Channel

You may also like