SHBA nxit masa për kufizimin e çmimit të naftës ruse në tregjet globale

by admin
Spread the love

Shtetet e Bashkuara po bëjnë presion për të zbatuar një plan që synon të detyrojë Rusinë të shesë naftë me çmime artificialisht të ulëta në tregun botëror, në mënyrë që t’ia bëjë të pamundur Kremlinit të sigurojë fonde në luftën kundër Ukrainës.

Sekretarja amerikane e thesarit, Janet Yellen e dënoi sërish sulmin e Rusisë kundër Ukrainës duke folur para gazetarëve në Bali të Indonezisë, para fillimit të takimit të ministrave të financave të ekonomive grupit të 20 vendeve më të industrializuara apo G-20. Ajo tha se tkurrja e fitimeve të Rusisë nga shitja e naftës së papërpunuar “do t’ia mohonte Putinit të ardhurat që i duhen për makinerinë e tij të luftës”.

Ajo argumentoi gjithashtu se kufizimi i çmimit të naftës ruse do të ndihmonte një nga synimet kryesore të administratës së presidentit amerikan, Joe Biden: uljen e inflacionit.

“Vendosja e një kufiri për çmimin e naftës ruse është një nga mjetet tona më të fuqishme për të trajtuar barrën e dhimbshme që amerikanët dhe familjet në mbarë botën po ndiejnë kur shkojnë te pompa e benzinës dhe dyqani ushqimor,” tha zonja Yellen.

Megjithatë, plani për vendosjen e një kufiri të çmimit mbështetet në një mekanizëm të komplikuar që nuk është provuar kurrë më parë dhe disa ekspertë në tregjet globale të energjisë kanë thënë se nuk besojnë se do të funksionojë.

Vendosja e kufirit ndaj çmimeve është e lidhur me sanksionet

Plani që po propozon sekretarja amerikane e thesarit, Yellen është i lidhur me një raund të ri sanksionesh financiare që Bashkimi Evropian, Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të po përgatiten t’i vendosin Rusisë.

Për të çuar naftën e saj të papërpunuar në treg, Rusia mbështetet në transaksione të ndryshme me huadhënësit ndërkombëtarë, firmat e transportit detar dhe kompanitë e sigurimit. Plani aktual është që nga fundi i këtij viti t’i ndërpritet Rusisë qasja në këto shërbime. Në teori, kjo do ta bënte praktikisht të pamundur për Rusinë të eksportojë naftë në një afat të afërt dhe shumë më të vështirë në të ardhmen.

Nëse zbatohen plotësisht dhe janë të suksesshme, rezultatet e këtyre sanksioneve mund të kenë pasoja negative për të gjithë. Rusia do të humbiste të ardhurat e saj nga nafta dhe pjesa tjetër e botës do të përjetonte rritje potencialisht shkatërruese të çmimeve për shkak të tronditjes që furnizimi me naftë do përjetonte nga ndalimi arbitrar i naftës ruse.

Sekretarja Yellen dhe administrata e presidentit Biden po propozojnë krjimin e një mundësie që do ia lejonte Rusisë vazhdimin e shitjes së naftës. Nëse Rusia pranon të shesë naftën e saj me një çmim që është nën një kufi të caktuar, niveli i të cilit do të përcaktohet nga vendet që vendosin sanksionet, do t’i lejohet qasja në shërbimet që i nevojiten për të sjellë naftën në treg.

Kjo do të shmangte një goditje ndaj furnizimit global me naftë e njëkohësisht do të reduktonte të ardhurat e naftës së Rusisë.

Ekspertët kanë dyshimet e veta për propozimin

Ekspertët e tregjeve globale të naftës thonë se ata nuk besojnë se plani për vendosjen e një kufiri të çmimit me të cilin Rusia mund të shesë naftën e saj të papërpunuar do të funksionojë.

Julian Lee i cili punon si analist nafte për organizatën e medias, “Bloomberg”, shkruante në Washington Post se skema “ka shumë pak mundësi për të funksionuar”.

Ai arrin në përfundiminse, “se me siguri llogaritja që do të bëjë Putini është se ndërprerja e eksporteve ruse të naftës do të dëmtojë më shumë ekonomitë e blerësve në Evropë sesa Rusinë. Kështu që është e pashpresë të pritet që ai të pajtohet me një kufi çmimi të vendosur nga Perëndimi.”

Kur Zëri i Amerikës e pyeti Edward C. Chow, bashkëpunëtor i lartë i jashtëm në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, nëse ai besonte se plani për t’i vendosur një kufi çmimit të naftës së papërpunuar ruse ishte i realizueshëm, ai dha një përgjigje me një fjalë.

“Jo”, tha ai.

Shumë mënyra për të zgjidhur problemin

Zoti Chow, i cili ka kaluar 45 vjet duke punuar në biznesin ndërkombëtar të naftës dhe gazit, duke përfshirë 20 vjet me gjigantin e naftës Chevron, tha: “Kam analizuar së bashku me çdo ekspert të energjisë që njoh. Dhe asnjë person nuk mendon se mund të funksionojë.”

Ai renditi një sërë zgjidhjesh të mundshme, duke përfshirë marrëveshjet alternative të sigurimit, kontratat që zhvendosin rrezikun e dërgesave tek shitësi dhe jo tek blerësi. Ndërkaq Rusia sipas tij mund të përdorë flotën e saj të cisternave që është edhe një nga më të mëdhatë në botë, për të shmangur sanksionet dhe kështu të injorojë vendosjen e kufirit të çmimit ndaj naftës së saj.

Zoti Chow, që ka punuar si profesor edhe në Universitetin Georgetown, tha “më bëri përshtypje, kur e dëgjova për herë të parë këtë propozim pasi mu duk si një ide e mirë që studentët e japin, dhe nëse kuptoni tregjet atëherë e dini që profesorëve iu pëlqen kjo gjë pasi atëherë e kanë mundësinë t’i mësojnë studentët pse kjo ide nuk do të funksiononte në praktikë”.

SHBA do të vazhdojë me planin

Duke lënë mënjanë dyshimet, administrata e presidentit Biden duket se synon të ecë para me planin.

Sekretarja e Thesarit tha të enjten se niveli në të cilin do të vendosej kufiri i çmimit nuk është përcaktuar ende, por se “ne do të dëshironim vendosjen e një shifre që do e nxiste Rusinë të vazhdonte prodhimin, që megjithatë do ta bënte prodhimin fitimprurës për Rusinë”.

Nëse Rusia do refuzonte ta pranojë çmimin, vuri në dukje ajo, ai shtet do të vuante në afat të shkurtër, pasi nuk do arrinte të realizonte ndonjë të ardhur nga nafta që do jetë e gatshme për treg. Rusia gjithashtu do të përballej me shpenzime afatgjata që lidhen me mbylljen e prodhimit dhe humbjen e pjesës së tregut pasi blerësit e naftës do të fillonin të kërkonin alternativa.

Kina dhe India

Që kur Rusia nisi sulmin në Ukrainë dhe vendet perëndimore u bënë më hezituese për të blerë naftën ruse, Kina dhe India kanë ndërhyrë për të mbushur boshllëkun, duke blerë deri në 1 milion fuçi naftë në ditë duke përbërë kështu deri në 20% të eksporteve të Rusisë.

Megjithatë, nevoja për të vazhduar blerjen e naftës ruse në këto nivele është me dyshim, veçanërisht në Kinë, ku ka shenja se ekonomia po ngadalësohet ndjeshëm. Gjithashtu e paqartë mbetet nëse njëri ose të dy vendet do t’i përmbahen një kufiri mbi çmimet e naftës ruse të vendosur nga perëndimi.

Nëse Rusia refuzon të shesë naftë nën normën me të cilën është vendosur kufiri, Kina dhe India mund të vazhdojnë të blejnë naftën e saj gjithsesi, por do të kenë fuqinë për të kërkuar nga Rusia një zbritje të konsiderueshme të çmimit. Në të njëjtën kohë, heqja e naftës ruse nga tregu më i gjerë do të rriste çmimin e mallit në mbarë botën, duke përfshirë Kinën dhe Indinë, të cilat gjithashtu blejnë naftë nga prodhues të tjerë.

Nëse Rusia pranon të shesë naftë me çmimin e vendosur nga perëndimi, Kina dhe India nuk do të kishin asnjë arsye për të paguar naftën ruse mbi normën e re.

Unë shpresoj se Kina dhe India do të shohin se respektimi i kufizimit të çmimit do t’i shërbente interesave të tyre në uljen e çmimit që paguajnë për naftën ruse,” tha zonja Yellen./VOA


Top Channel

You may also like