SHBA mund të marrë masa edhe kundër vajzave të Putin, BE shënjestron qymyrin rus

by admin
Spread the love

Një tjetër raund sanksionesh do të njoftohet sot nga shtetet perëndimore kundër Rusisë për krimet e luftës në qytezën ukrainase të Buchas. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, tha se masat do të shënjestrojnë organizma financiarë dhe shtetërore e po ashtu zyrtarë dhe oligarkë rusë. Synimi është të goditet kleptokracia që financon luftën e Putinit.

Mediat amerikane thonë se Uashingtoni po konsideron gjithashtu masat kundër dy vajzave të Putinit dhe bankën më të madhe në rusi, Sberbank. SHBA po kërkon edhe dëbimin e Rusisë nga Këshilli I të Drejtave të njeriut të OKB.

“Masat do të shënjestrojnë zyrtarë të qeverisë, familjarë të tyre, dhe institucione financiare të kontrolluara nga shteti. Janë pjesë e përpjekjeve tona të vazhdueshme për të bërë përgjegjës zyrtarët rusë”, tha Psaki.

Të martën Komisioni Europian propozoi një sërë sanksionesh të reja kundër Rusisë përfshirë ndalimin e importeve të qymyrit nga Rusia dhe masa shtesë që shënjestrojnë biznese të kontrolluara nga shteti, zyrtarë dhe oligarkë në Moskë.

Propozimi për embargo ndaj qymyrit rus, që duhet të miratohet nga të 27 vendet anëtare, do të shënonte herën e parë që BE bllokon importet e energjisë ruse. Blloku blen rreth 4 miliardë dollarë qymyr nga Moska çdo vit.

“Duhet të shtojmë presionin ndaj Rusisë, prandaj paketa e sanksioneve që propozojmë sot shkon një hap më tej. Masat janë më të shtrira dhe më të mprehta në mënyrë që të godasin thellë ekonominë ruse. Ndër të tjera paketa parashikon embargo të qymyrit, çka do të presë një burim të madh të ardhurash për Moskën”, tha Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.

Disa shtete anëtare, përfshirë Gjermaninë, mbështeten fort tek energjia ruse dhe kanë hezituar të shënjestrojnë direkt këtë sektor. Por qasja duket se ndryshoi pas shfaqejes së provave për krime lufte në Ukrainë, me presidentin francez Emanuel Macron që iu bashkua me herët gjatë javës zërave për ndalimin e qymyrit.

Thirrjet për më shumë sanksione u shtuan ndjeshëm pas zbulimit të masakrave në Bucha, qytezë pak kilometra larg Kievit. Mbi 320 civilë thuhet të jenë vrarë nga forcat pushtuese, dhe trupat e tyre u gjetën në varre masive, me shenja torture ose me duar të lidhura.

You may also like