SHBA: Izraeli ka përgjegjësi morale për të mbrojtur civilët! Këshilltari i Netanyahu: Numri i viktimave do jetë i ulët

by admin
Spread the love

Aleati kryesor i Izraelit, SHBA, po bën thirrje për veprime më të forta për të shmangur vdekjet e civilëve në Gaza.

Sekretari i Mbrojtjes Lloyd Austin tha se Izraeli kishte një “përgjegjësi morale” për të mbrojtur civilët. “Nëse i shtyn ata në krahët e armikut, ju zëvendësoni një fitore taktike me një humbje strategjike,” tha Austin.

Ai theksoi se SHBA-ja do të qëndrojë pranë “mikut të saj më të ngushtë në botë”, ndërsa tha se u bëri presion zyrtarëve izraelitë që të zgjerojnë në mënyrë dramatike aksesin e Gazës në ndihma humanitare. Komentet e tij erdhën të shtunën ndërsa forcat izraelite intensifikuan sulmet e tyre në jug të Gazës, ku qindra mijëra njerëz nga veriu i Rripit po kërkojnë strehim. Më herët nënpresidentja e SHBA Kamala Harris tha se shumë palestinezë të pafajshëm janë vrarë dhe e përshkroi shkallën e vuajtjes si shkatërruese.

Ushtria izraelite tani po e zhvendos fokusin e ofensivës së saj në Gazën jugore, ku liderët e Hamasit besohet se fshihen dhe qindra mijëra palestinezë janë strehuar pasi janë larguar nga luftimet në veri.

Administrata Biden ia ka bërë të qartë Izraelit se nuk duhet të përsërisë në jug atë që bëri në veri dhe Izraeli thotë se po merr masa për të mbrojtur civilët. Ekzistojnë gjithashtu shqetësime për krizën akute humanitare në territor, me spitalet e mbushura me njerëz, që funksionojnë me burime të kufizuara dhe mungesë të gjerë të ushqimit dhe ujit. Rreth 100 kamionë me furnizime bazë hynë në Gaza nga Egjipti të shtunën, por agjencitë e ndihmës thonë se ende nuk mjafton.

Mark Regev, një nga këshilltarët e lartë të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, tha sot për BBC-në se Izraeli po bën “përpjekje maksimale” për të shmangur viktimat civile, pas paralajmërimeve nga aleatët e SHBA-së për numrin e palestinezëve të vrarë. Sipas tij civilët nuk janë objektiva dhe mbrojtja e tyre është bërë më e vështirë nga Hamasi duke futur “makinën e tij terroriste ushtarake” midis lagjeve civile.

Ai thotë se Forcat Mbrojtëse të Izraelit po përpiqen të jenë aq sa munden kirurgjikale në një situatë shumë të vështirë luftarake dhe ka dhënë paralajmërim paraprak për sulme. Më shumë se 6,000 fëmijë janë në mesin e 15,000 njerëzve që janë vrarë gjatë bombardimeve të Izraelit në Rripin e Gazës, sipas ministrisë së shëndetësisë të drejtuar nga Hamasi.

“Në fund të luftës, krahasuar me Britaninë e Madhe dhe forcat e tjera perëndimore që luftojnë ISIS-in në Irak dhe Siri, do të shihni se ne kemi arritur të mbajmë nivelin e viktimave civile shumë, shumë të ulëta”, u shpreh Ragev.


Top Channel

You may also like