SHBA, gjykatësi kufizon kontaktet e qeverisë me operatorët e mediave sociale

by admin
Spread the love

Urdhëri i një gjykatësi federal në Luiziana ka ndezur një betejë të rëndësishme për mënyrën se si i lejohet qeverisë amerikane të ndërveprojë me platformat e mediave sociale, duke ngritur pikëpyetje të gjera, nëse dhe si duhet të luftojnë zyrtarët dezinformimin për shëndetin, apo çështje të tjera.

Gjykatësi federal Terry Doughty, një konservator i emëruar në këtë detyrë nga ish-Presidenti Donald Trump, vendosi në Ditën e Pavarësisë masa kufizuese për disa agjenci qeveritare dhe zyrtarë të administratës. Siç u shpreh gjykatësi, atyre u ndalohet t’i takojnë, apo t’i kontaktojnë përfaqësuesit e kompanive të mediave sociale me qëllim “inkurajimin, ushtrimin e trysnisë, apo nxitjen në çfarëdolloj mënyre për heqjen, fshirjen, çensurimin, apo shkurtimin e materialeve me përmbajtje të lirisë së shprehjes, e cila mbrohet me ligj”.

Urdhëri ua ndalon gjithashtu agjencive dhe zyrtarëve të ushtrojnë trysni “në çfarëdolloj mënyre” ndaj kompanive të mediave sociale për të çensuruar postime, duke ngritur kështu pikëpyetje edhe se për çfarë munden të shkruajnë zyrtarët në forumet publike.

Urdhëri i Gjykatësit Doughty ia ndalon përkohësisht administratës veprime të tilla, deri në marrjen e vendimeve të mëtejshme gjatë procesit gjyqësor të hapur pas një padie të paraqitur nga prokurorët e zgjedhur nga radhët e republikanëve në Mizuri dhe Luiziana.

Departamenti i Drejtësisë e apeloi urdhërin e gjykatës dhe njoftoi se do të përpiqet të anulojë atë.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, tha se “jemi sigurisht kundër këtij vendimi”. Ajo nuk pranoi të komentojë më gjerë.

Një zyrtar i administratës tha se ekziston shqetësimi për pasojat që mund të ketë vendimi tek përpjekjet për t’iu kundërvënë ekstremizmit të brendshëm – të përkufizuar nga komuniteti i zbulimit si një kërcënim parësor për vendin – por se kjo do të varet sidoqoftë nga periudha se sa do të qëndrojë në fuqi ky urdhër ndalimi, si dhe nga hapat që do të ndërmarrin vetë platformat sociale. Zyrtari nuk ishte i autorizuar për të folur publikisht dhe foli me kusht të ruajtjes së anonimitetit.

Padia aludon se zyrtarët e qeverisë shfrytëzuan mundësitë për ndërhyrje rregullatore, për t’i detyruar platformat e mediave sociale, që të mos postonin ato, që administrata i konsideronte si informacione dezinformimi për një sërë tematikash, përfshirë për vaksinat ndaj COVID-19, për djalin e Presidentit Joe Biden, Hunter Biden, si dhe për integritetin e zgjedhjeve.

Urdhëri dhe arsyetimi i përpiluar nga Gjykatësi Doughty, ku ndër të tjera thuhet se administrata “duket se ka siguruar një rol të ngjashëm me ‘Ministrinë e së Vërtetës’, sipas librit të autorit Xhorxh Orwell ‘1984’”, u përshëndetën nga konservatorët, si një fitore për lirinë e shprehjes dhe një goditje ndaj çensurës.

Ekspertët ligjorë u shprehën megjithatë të befasuar nga përmasat e shtrirjes së urdhërit, duke shtruar pyetjen nëse ai vendos kufizime të tepruara ndaj administratës së drejtuar nga presidenti Biden.

“Kur gjendemi në një pandemi dhe madje edhe tani, qeveria ka ekspertizë shumë të rëndësishme për shëndetin publik”, thotë James Speta, profesor i juridikut dhe ekspert për rregulloret e internetit në Universitetin Northwestern. “Efektet e gjera të urdhërit ja kufizojnë qeverisë mundësinë për të ndarë ekspertizën për shëndetin publik”.

Pasojat shtrihen përtej shëndetit publik

Studiuesit për dezinformimin dhe mediat sociale thonë se vendimi mund të ulë llogaridhënien e kompanive të mediave sociale për kategorizimin dhe heqjen e lajmeve false për zgjedhjet.

“Ndërsa Shtetet e Bashkuara përgatiten për vitin më të madh zgjedhor që është parë në moshën e internetit, ne duhej të ishim duke gjetur metodat për një koordinim më të mirë mes qeverive dhe kompanive të mediave sociale, për të rritur integritetin e lajmeve dhe informacionit për zgjedhjet”, thotë Nora Benavidez, këshilltare e lartë në organizatën aktiviste për të drejtat dixhitale ‘Free Press’.

Kompanitë e mediave sociale heqin rregullisht postimet që shkelin standardet e tyre, por ato rrallë detyrohen për këtë nga qeveria amerikane.

Kompania Meta kufizoi qasjen tek 27 materiale, që ajo vendosi se shkelnin ligjet në Shtetet e Bashkuara, gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2020; shumica e tyre kishin të bënin me akuza për rritje artificiale të çmimeve, thuhet në raportin për transparencë të kompanisë Meta. Por, kjo kompani nuk raportoi kufizime ndaj materialeve të lidhura me Shtetet e Bashkuara gjatë vitit 2021, apo gjatë gjashtë muajve të parë të vitit 2022 – këto janë të dhënat më të fundit të bëra publike.

Në dallim, kompania Meta kufizoi qasjen tek 17 mijë postime në mediat sociale në Meksikë, gjatë të njëjtës periudhë, shumica kishin të bënin me reklama false për produkte të rrezikshme kozmetike, apo të dietës, si dhe mbi 19 mijë postime dhe komente në Korenë e Jugut, që ishin raportuar si shkelje të rregullave për zgjedhjet e përgjithshme.

Në dokumentet e paraqitura në gjykatë, juristët e administratës e kanë quajtur padinë një përpjekje për të shtypur të drejtat e shprehjes së vetë zyrtarëve të administratës.

Justin Levitt, profesor i juridikut dhe ekspert i ligjit kushtetues, si dhe ish-këshilltar për politikat i administratës së Presidentit Biden, tha se urdhri i gjykatësit nuk është i qartë, nëse një zyrtar mundet të flasë publikisht për të kritikuar dezinformimin në një platformë të mediave sociale.

Elizabeth Murrill, ndihmës prokurore e përgjithshme në Luiziana, tha të mërkurën se urdhri nuk ndalon kritika të tilla publike, për sa kohë që zyrtari nuk kërcënon me ndërmarrjen e veprimeve nga qeveria kundër platformës në fjalë.

Jennifer Grygiel, profesore e komunikimeve dhe eksperte e mediave sociale në Universitetin e Sirakuzës, tha se amerikanët nuk duhet të nxitohen për ta konsideruar çështjen si të motivuar politikisht dhe se duhet të vazhdojnë të jenë vigjilentë për rrezikun e ndërhyrjes federale në platformat e mediave sociale.

“Jam më e shqetësuar që nga mungon kritika ndaj ndërhyrjes së qeverisë në këto hapësira”, thotë zonja Grygiel. “Ne, si publik, duhet të jemi shumë kritikë ndaj përpjekjeve të qeverisë, të faktorëve federalë, për të çensuruar shprehjen e mendimit, nëpërmjet një entiteti privat”.

Gjykatësi Doughty ka dhënë më parë vendime kundër administratës së Presidentit Biden edhe për çështje të tjera të rëndësishme, si për nxjerrjen e naftës apo urdhrat për vaksinimin.

Në vitin 2021, ai vendosi për një masë mbarëkombëtare ndalimi të detyrimit të vendosur nga administrata e Presidentit Biden, që punonjësit e shëndetësisë të vaksinoheshin kundër COVID-it. Një trupë gjyqësore në apel kufizoi zonën ku do të zbatohej urdhri i ndalimit në 14 shtetet që ishin palë e padisë.


Top Channel

You may also like