SHBA e BE “ia mbledhin” Vuçiçit, Lajçak: E kupton seriozitetin e situatës!

by admin
Spread the love

Pas Prishtinës, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, u nis në Beograd, ku u takua me presidentin serb Aleksandar Vuçiç.

Qëllimi i vizitës urgjente ishte gjetja e “ zgjidhjeje politike që do të ulte tensionet dhe do të mundësonte heqjen e barrikadave në veri të Kosovës”.

“Ai e kupton seriozitetin e situatës”, u shpreh Lajçak përmes një postimi në Twitter.

I pranishëm në takim ishte dhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar. Një ditë më parë, që të dy diplomatët e lartë diplomatët perëndimorë biseduan në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Lajçak u shpreh aty se nuk preferon që barrikadat në veri të hiqen me buldozerë, por përmes rrugëve diplomatike.

Ecejaket e intensifikuara diplomatike të perëndimit vijnë në një kohë tensionesh në veri të Kosovës, ku disa serbë lokalë kanë ngritur barrikada, për të kundërshtuar arrestimin e një ish-polici serb. Gjashtë barrikadat e ngritura më 10 dhjetor, që bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak, vazhdojnë të jenë aty.

Diplomatët perëndimore shpresojnë të nxisin bisedimet rreth një propozimi evropian që parasheh normalizimin e marrëdhënieve që nuk përfshijnë njohjen e ndërsjellë Kosovë – Serbi, por zotimin e palëve se nuk do ta pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.


Top Channel

You may also like