Sfida interesante në Superiore dhe Serie A, ja çfarë ofron e shtuna në Oversport dhe Tibo

by admin
Spread the love

3 sfida të “Abissnet Superiore” dhe 3 sfida të Serie A vijnë këtë të shtunë live dhe ekskluzivisht në ekranin e Oversport dhe Tibo. Superiorja nis fazën e dytë dhe tashmë skuadrat e dinë shumë mirë se duhet të gabojnë sa më pak që të arrijnë objektivat e tyre.

Dita nis me sfidën Kastrioti-Bylis, dy skuadra që kanë bërë një fazë të parë shumë të mirë, ndonëse kanë humbur shkëlqimin në këto javët e fundit të kampionatit. Krutanët kërkojnë të lënë pas krahëve disfatën përballë Laçit, duke synuar rikthimin te fitorja. Miqtë nga Ballshi kanë pësuar tre humbje në tre takimet e fundit në kampionat, ndonëse me lojën e zhvilluar meritonin të tjera rezultate. Bylisi synon të lërë pas krahëve këtë moment negativ, duke synuar një rezultat pozitiv përballë Kastriotit.

Në orën 16:45 do të zhvillohen sfidat Teuta-Laçi dhe Vllaznia-Erzeni. Një derbi mbijetese do të zhvillohet në “Niko Dovana”. Durrsakët kanë zhgënjyer në fazën e parë dhe synojnë që të nisin në mënyrën më të mirë të dytën, duke kërkuar maksimumin e pikëve përballë Laçit, që ti largohen vendit të fundit në renditje. Edhe kurbinasit nuk kanë shkëlqyer në fazën e parë, por të frymëzuar nga suksesi i fundit përballë Kastriotit, kërkojnë një tjetër rezultat pozitiv në këtë transfertë.

Vllaznia kërkon që ti rrëmbejë vendin e dytë në renditje Erzenit, në sfidën që do të luhet në “Loro Boriçi”. Shkodranët kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë, ndërsa miqtë nga Shijaku, kërkojnë surprizën e radhës në transfertën e sotme.

Edhe Serie A sjell tre sfida interesante, pasi në fushë zbresin Napoli, Juventus dhe Inter, për të luajtur ndeshjet respektive të javës së 12-të. Kryesuesit e Napolit kërkojnë fitoren e radhës në sfidën ndaj Sassuolos, që do të luhet në “Maradona” në orën 15:00.

Juventusi kërkon të harrojë eliminimin nga Champions, duke synuar kthesën në transfertën kundër Leçes në kampionat. E shtuna e Serie A në Oversport dhe Tibo do të mbyllet me sfidën Inter-Sampdoria. Zikaltërit kërkojnë të shfrytëzojnë momentin e artë që po kalojnë dhe përballë Sampdorias synojnë fitoren e katërt radhazi në kampionat. / Oversport.tv

You may also like