Ruanda sërish në planet britanike, dalin detajet e projektligjit të ri që votohet sot

by admin
Spread the love

Parlamenti britanik voton sot projektligjin e ri të propozuar nga kryeministri Rishi Sunak, që synonin dërgimin e emigrantëve të paligjshëm në Ruandë.

Edhe pse pak javë më parë Gjykata e Lartë britanike e shpalli të paligjshme këtë politikë, shefi i ekzekutivit anglez shpreson se nisma e re ligjore do të përmbushë zotimin e tij për të frenuar prurjet e njerëzve që kalojnë Kanalin e La Manshit me varka të vogla.

Në vitin 2022 u arrit një rekord i ri prej 745 mijë personash, pjesërisht për shkak të të ardhurve nga Ukraina dhe Hong Kongu. Qeveria e Sunakut paraqiti javën e kaluar një seri masash që do ta ulnin këtë shifër me 300 mijë persona më pak. Ndërkohë në vitin 2022 u arrit edhe një rekord prej 45,775 personash që mbërritën pa lejen e autoriteteve, me varka të vogla në brigjet jugore të Anglisë.

Deri më tani për vitin 2023, kanë mbërritur pothuajse 29 mijë më shumë. Plani me të cilin kishte rënë dakord në prill 2022 kryeministri i atëhershëm Boris Johnson, synonte t’i shkurajonte emigrantët që donin të bënin udhëtimin e rrezikshëm prej gati 32 kilometrash përmes Kanalit të La Manshit me varka të vogla ose gomone.

Sipas atij plani, çdokush që mbërrinte në Britani ilegalisht pas 1 janarit të vitit të kaluar mund të dërgohej në Ruanda, gati 6400 kilometra larg. Por, fluturimi i parë i deportimit në qershor 2022 u bllokua nga një masë e minutës së fundit nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Megjithëse nuk janë bërë deportime, Britania i ka paguar tashmë Ruandës 240 milionë paundë. Për të trajtuar çështjet e ngritura nga Gjykata e Lartë, Kryeministri Sunak ka rënë dakord për një traktat të ri me Ruandën dhe ka paraqitur legjislacionin e emergjencës që kërkon të anashkalojë ligjet që do ta parandalonin zbatimin e planit për deportimet.

Propozimi përjashton disa seksione të ligjit britanik për të Drejtat e Njeriut dhe thotë se vetëm ministrat do të vendosin nëse do të zbatojnë urdhrat e Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Megjithatë, kritikët e tij të kahut të djathtë, shumë prej të cilëve duan që Britania të largohet nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kanë thënë se propozimi nuk shkon aq larg sa të shmangë bllokimin e deportimeve nga gjykatat. Ministri i tij i emigracionit ka dhënë dorëheqjen.


Top Channel

You may also like