Rrezikohet fushata e Trumpit! Dispozita në Kushtetutë që mund ta lërë jashtë presidencialeve

by admin
Spread the love

Dy fjali të shtuara Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara 155 vjet më parë rrezikojnë përpjekjet e Donald Trumpit për t`u rikthyer në krye të Shtëpisë së Bardhë.

Vendimi historik i marrë një ditë më parë nga Gjykata e Lartë e Kolorados që ia ndalon ish presidentit përfshirjen në fletën e votimit në këtë shtet, mbështetej tej pika 3 e Amendamentit të 14. Kjo shtesë ligjore e ndalon mbajtjen e një posti publik nga një zyrtar që është betuar se do ta mbështesë Kushtetutën dhe më pas është “angazhuar në kryengritje” kundër saj.

Kjo ishte hera e parë në histori që përdorej një dispozitë e tillë për të ndaluar dikë që të kandidojë për Shtëpinë e Bardhë. Kampi i Trumpit megjithatë e bëri të qartë se do ta apelojë vendimin dhe tani topi i kalon Gjykatës së Lartë të SHBA-së. Nëse ajo vendos ta lërë në fuqi vendimin e Kolorados, kjo mund të rrezikojë realisht përpjekjen e Trumpit për presidencën, pasi do të hapte mundësinë e zbatimit të kësaj shtese të amendamentit edhe në shtetet e tjera amerikane.

Por nga ana tjetër, ajo krijon dhe një precedent të rrezikshëm pasi do të krijonte mundësinë që në të ardhmen politikanët atje t`i shfrytëzonin vendimet gjyqësore për të goditur e skualifikuar nga gara kundërshtarët e tyre.

Që tani, disa republikanë kanë hedhur idenë se kjo dispozitë mund të përdoret edhe kundër zëvendëspresidentes Kamala Harris, me arsyetimin se edhe ajo duhet konsideruar se organizoi “një rebelim” ndaj Kushtetutës kur grumbulloi para për lirimin me kusht nga burgu të të arrestuarve gjatë episodeve të dhunës pas vrasjes së George Floyd në Minneapolis.


Top Channel

You may also like