Rrethohet Tajvani! 58 avionë kinezë dhe 9 luftanije në ditën e dytë të stërvitjes

by admin
Spread the love

Kina ka simuluar goditjen precize ndaj objektivave kyçë në Tajvan dhe në ujërat përreth në ditën e dytë të stërvitjeve ushtarake duke e rrethuar ishullin me 58 avionë e 9 luftanije.

Stërvitjet – që Pekini i ka quajtur “paralajmërim të ashpër” për ishullin vetëqeverisës – po mbahen në përgjigje të vizitës së presidentes së Tajvanit në Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Përderisa ushtria kineze po simulon rrethimin e ishullit, SHBA-ja i ka bërë thirrje Kinës që të tregojë përmbajtje.

Tajvani po ashtu tha se 45 avionë luftarakë ose kanë kaluar vijën e mesme të Ngushticës së Tajvanit – që jozyrtarisht ndan territorin tajvanez dhe atë kinez – ose kanë fluturuar në pjesën jugperëndimore të zonës së identifikimit të mbrojtjes ajrore të Tajvanit.

Nëntë anije kineze po ashtu janë parë në ujërat pranë Tajvanit. Operacioni, i quajtur nga Pekini “Shpata e përbashkët” do të vazhdojë deri të hënën. Zyrtarët tajvanezë kanë shprehur zemërimin e tyre me këtë stërvitje ushtarake.

Të shtunën, zyrtarët e mbrojtjes në Tajpei kanë akuzuar Pekinin se po përdorë vizitën e presidentes Tsai Ing-wen në SHBA “si justifikim për të kryer stërvitje ushtarake, që seriozisht kanë minuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë e rajonit”.


Top Channel

You may also like