Retklif kërkon durim për 2-3 sezone: Plani është të rrëzojmë Sitin dhe Liverpulin nga maja

by admin
Spread the love

Sër Xhim Retklif ka zbuluar planet për të rikthyer madhështinë e Mançester Junajtidit brenda tre viteve dhe për të rrëzuar rivalët e Sitit dhe Liverpulin nga froni. Të martën, miliarderi kompletoi blerjen e 27.7 për qind të aksioneve të klubit për 1.3 miliardë paund.

Duke folur nga zyra e tij e INEOS, bashkëpronari i ri i “djajve” prezantoi vizionin për të rinovuar “Old Trafford” për rreth 1 miliard paund ose për të ndërtuar një stadium të ri në të njëjtin vend, me shpresën për të siguruar fondet publike: “Ajo që kemi parë nga stadiumi deri më tani, është se ka një rast vërtet të mirë për të rinovuar “Old Trafford”, ndoshta rreth 1 miliard paund në kosto, ose diçka e tillë”, tha ai. Njeriu më i pasur i Britanisë konfirmoi gjithashtu interesin e klubit për drejtorin sportiv të Njukasëllit, Den Ashuorth, i cili është ngrirë nga Njukasëlli që të mos firmosë me “djajtë”, vendim për të cilin ai mendon se është absurd.

PËR VUAJTJET NË PREMIER LIGË – “Ka qenë një vuajtje e plotë në 11 vitet e fundit dhe është thjesht zhgënjyese nëse je një tifoz gjatë kësaj periudhe kohore. Ky është futbolli apo jo? Ai ka uljet dhe ngritjet e veta. Më kujtohet se para Fergusonit gjërat nuk ishin mirë për një kohë të gjatë, për një periudhë më të gjatë kohore në fakt, për rreth 25 vjet. Njëmbëdhjetë vjet është një periudhë e gjatë kohore, apo jo? Në thelb ju dëshironi ta shihni klubin tuaj aty ku duhet të jetë. Është një nga klubet më të mëdha në botë. Duhet të luajë futbollin më të mirë në botë, nuk e ka bërë këtë për 10 apo 11 vjet. Pra, sigurisht që lidhet me vendimin për të investuar”, tha biznesmeni i industrisë petrokimike.

RIVALËT – “Siti është një nga skuadrat më të mira në planet”, tha Retklif për kampionët e tre viteve të fundit. “Ne kemi shumë për të mësuar nga fqinji i zhurmshëm dhe fqinji ynë tjetër (Liverpuli). Ata janë armiku në fund të ditës dhe nuk do të doja asgjë më mirë sesa t’i rrëzoja të dy ose njërin prej tyre nga maja. Ne jemi tre klubet e mëdha veriore dhe të gjithë jemi mjaft pranë njëri-tjetrit. Ato kanë qenë në një pozicion të mirë për pak kohë. Ka gjëra për të mësuar nga të dyja këto klube. Ata kanë drejtim të mençur, njerëz të shkëlqyer dhe një mjedis elitar të motivuar në të cilin ata punojnë. Kështu që unë i respektoj shumë, por ata janë ende armiku”.

KTHIMI NË LAVDI – “Nuk është një çelës dritash. Nuk është një nga këto gjëra që ndryshon brenda natës. Duhet të jemi të kujdesshëm që të mos nxitohemi. Ti nuk dëshiron të vraposh drejt zgjidhjes së gabuar në vend që të ecësh drejt zgjidhjes së duhur. Sfida kryesore këtu është ajo afatgjate. Ne duhet t’i bëjmë gjërat mirë dhe siç duhet dhe të mos nxitojmë. Kështu që nuk është një ndryshim brenda natës, do të zgjasë dy ose tre sezone. Duhet t’u kërkojmë tifozëve për pak durim. E di që botës këto ditë i pëlqen kënaqësia e menjëhershme, por ky nuk është rasti me futbollin. Shikoni Pep Guardiolën te Siti, nuk ndodhi brenda natës, duhet kohë për të ndërtuar një skuadër…”

VLERËSIMI PËR TEN HAG – Shumë shpesh këtë sezon e ardhmja e trajnerit holandez është vënë në dyshim, por pronari i ri tha: “Unë nuk do të komentoj për Erik ten Hagun, sepse mendoj se do të ishte e papërshtatshme ta bëja këtë. Por nëse shikoni 11 vitet që kanë kaluar që kur Dejvid Xhill dhe Sër Aleks janë larguar nga detyra, ka pasur një seri të tërë trajnerësh, disa prej të cilëve ishin shumë të mirë. Dhe asnjëri prej tyre nuk ishte i suksesshëm ose nuk mbijetoi për shumë gjatë. Dhe nuk mund të fajësosh të gjithë trajnerët. I vetmi përfundim që mund të nxirrni është se mjedisi në të cilin ata punonin nuk funksionoi. Dhe Eriku ka qenë në atë mjedis. Unë po flas për organizatën, njerëzit në strukturë dhe atmosferën në klub. Kështu që unë nuk jam i fokusuar te trajneri. Jam i fokusuar për ta bërë siç duhet. Dhe nuk më takon mua ta gjykoj këtë gjithsesi. Unë nuk jam profesionist futbolli”.

NDJEKJA E ASHWORTH – “Dan Ashworth është padyshim një nga drejtorët më të mirë sportivë në botë. Nuk kam dyshim se ai është një person shumë i aftë. Ai është i interesuar për Junajtidin, sepse është sfida më e madhe në klubin më të madh në botë. Unë e kuptoj pse Njukasëlli do të ishte i zhgënjyer. Do të duhet të shohim se si do të shkojë. Njukasëlli kërkon 20 mln paund për ta lënë të lirë? Personalisht mendoj se është pak budadallëk. Ajo që unë mendoj se është krejtësisht absurde është të sugjerosh që një njeri që është vërtet i zoti në punën e tij të qëndroj i ngrirë dhe ulur në kopshtin e tij për një vit e gjysmë”.

PANORAMASPORT.AL

You may also like