Rekomandimi që Blerim Reka të bëhet konsull në New York – i kundërligjshëm

by admin
Spread the love

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, ka reaguar pas rekomandimit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Grvalla-Schwarz, që ish-ministri i Integrimit Evropian, Blerim Reka, të bëhet Konsull i Përgjithshëm në Nju Jork.

Deputetja Musliu-Shoshi, e cila është anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, ka thënë se rekomandimi i Rekës është në kundërshtim me ligjin.

Sipas saj, Gërvalla i largoi konsujt që i kishte targetuar si politik për të emëruar një ish-ministër.

“Qeveria Kurti i largoi dhjetëra diplomatë e konsuj vetëm pse i kishte targetuar si të afërt me njerëz të ish-qeverive të kaluara, ndërsa tash vetë ministrja Gërvalla rekomandon një ish-ministër të LVV-së për Konsull të Përgjithshëm në New York. Kaq për moralin politik të Gërvallës, me të cilin po e udhëheq politikën e jashtme. Krejt në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore në fuqi!”, ka shkruar Musliu-Shoshi.

Ajo ka vlerësuar se pasojat e keqqeverisjes me MPJD-në dhe të largimit të diplomatëve e konsujve, që me vite të tëra i kanë shërbyer vendit, Kosova do t’i vuajë shumë gjatë.

Ky reagim i deputetes Musliu-Shoshi vjen pas raportimit të Demokracia.com se Gërvalla e ka rekomanduar për konsull në Nju Jork, ish-ministrin Blerim Reka.

You may also like