BRUKSEL – BE i ofron Libanit 1 miliard euro për të ndalur fluksin e refugjatëve sirianë

by admin
Spread the love

BRUKSEL, 2 maj /ATSH-DPA/- Komisioni Evropian i ka premtuar Libanit një ndihmë financiare me vlerë rreth 1 miliard euro (1,07 miliardë dollarë) në mënyrë që të ndalojë fluksin e refugjatëve nga Siria drejt Bashkimit Evropian.

“Komisioni Evropian do të ofrojë një paketë financiare prej 1 miliard euro për Libanin. Ndihma do të jetë në dispozicion duke nisur nga ky vit deri në 2027”, tha sot presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen në Bejrut, pas bisedimeve me kryeministrin e përkohshëm libanez Najib Mikati dhe presidentin qipriot Nikos Christodoulides.

Paketa synon të forcojë arsimin, mbrojtjen sociale dhe shërbimin shëndetësor të Libanit dhe gjithashtu do të mbështesë forcat e armatosura, kryesisht përmes pajisjeve dhe trajnimit, si dhe infrastrukturës për menaxhimin e kufirit.

“Ne refuzojmë ta lëmë atdheun tonë të bëhet një atdhe alternativ”, tha Mikati.

“Askush nuk dëshiron që refugjatët sirianë të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi më shumë se ne, së bashku me partnerët dhe komunitetet e tyre pritëse”, tha një zëdhënës i komisionit.

“Ajo që është e rëndësishme për ne është që këta njerëz të kthehen në kushte të sigurta”, tha ai.

Sirianët nga Libani, i cili është rreth 160 kilometra nga Qiproja, kanë mbërritur pothuajse çdo ditë me anije në republikën ishullore të BE-së gjatë muajve të fundit.

“Rreth 4 000 migrantë janë regjistruar që nga fillimi i vitit, krahasuar me vetëm 78 në tremujorin e parë të vitit të kaluar”, sipas Christodoulides.

Në shifra absolute, kjo është dukshëm më pak se në Itali, Spanjë dhe Greqi, ku mbërrijnë refugjatë me anije nga vende si Tunizia, Libia, Egjipti, Maroku dhe Turqia.

Por, në lidhje me popullsinë e saj, asnjë vend tjetër në BE nuk merr aq shumë kërkesa për azil sa Qiproja, kampet e refugjatëve të së cilës janë të mbipopulluara.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like