SHBA – Biden: Protestat e dhunshme në kampuset universitare kundër luftës në Gaza ‘nuk mbrohen’

by admin
Spread the love

UASHINGTON, 2 maj /ATSH-DPA/- Studentët duhet të kenë të drejtën e fjalës së lirë, por protesta e dhunshme nuk mbrohet – sipas ligjit, tha presidenti amerikan Joe Biden, pasi kampuset e mëdha universitare që protestojnë kundër luftës Izrael-Hamas janë përfshirë në trazira.

“Ne nuk jemi një komb autoritar ku ne i bëjmë njerëzit të heshtin ose i shtypim disidencën. Populli amerikan dëgjohet”, tha sot Biden në Shtëpinë e Bardhë.

“Në fakt, protesta paqësore është në traditën më të mirë se si amerikanët reagojnë ndaj çështjeve të rëndësishme. Por, as ne nuk jemi një vend pa ligj. Ne jemi një shoqëri civile dhe rendi duhet të mbizotërojë”, tha Biden.

Presidenti amerikan tha se dhuna, vandalizmi, shkelja, mbyllja e kampuseve dhe thyerja e dritareve nuk përbëjnë protesta paqësore.

“Kërcënimi i njerëzve, frikësimi i njerëzve, futja e frikës tek njerëzit nuk është protestë paqësore, është kundër ligjit”, theksoi ai.

“Nuk duhet të ketë vend në asnjë kampus, në asnjë vend në Amerikë për antisemitizëm apo kërcënime për dhunë ndaj studentëve hebrenj”, shtoi Biden.

Protestat kundër veprimeve ushtarake të Izraelit në luftën e Gazës dhe në favor të solidaritetit me palestinezët kanë vluar në kampuse të ndryshme, duke çuar në aksione policore në Universitetin e Kolumbias, City College të Nju Jorkut, Universitetin e Kalifornisë, Los Anxhelos, Universitetin e Teksasit në Austin etj. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like