Reja: Izraelin e godasim me dalje të shpejta, Uzuni e Broja janë gati

by admin
Spread the love

Trajneri Edi Reja doli në konferencë për shtyp në prag të ndeshjes së dytë në grup në “Air Albania” ndaj Izraelit, teksa komentoi përballjet e mëparshme si dhe gjendjen e futbollistëve si Uzuni e Broja.

Izraelin e kemi mposhtur një herë me Panuccin e një herë me De Biasin. Nga cila prej atyre ndeshjeve mund të marrim më shumë elementë?
Ato ndeshje të mëparshme me Izraelin janë ndeshje të një historie tjetër, pasi kanë lojtarë të tjerë dhe po jetojmë realitete të ndryshme. Ndaj nuk mund të marrim diçka nga e kaluara, edhe pse ekipi ka ndonjë lojtar që ka qenë edhe atëherë. Është një skuadër që vrapon shumë, me lojtarë të shpejtë e ofensivë, pasi edhe krahët e mbrojtjes marrin pjesë në aksione ofensive. Kjo mënyrë loje mund të lërë hapësira ku ne duhet t’i shfrytëzojmë, sidomos sa i përket fazës mbrojtëse. Të mos i lejojmë atyre që të krijojnë superioritet numerik dhe të nisemi me shpejtësi. Kjo është mënyra taktike që duhet të bëjmë mirë këtë ndeshje dhe të mundohemi ta fitojmë.

Ku e keni përqendruar më shumë punën gjatë këtyre ditëve?
Ne po punojmë që të mundohemi të propozojmë sa më shumë aksione ofensive. Për shembull duke parë edhe një herë ndeshjen me Islandën, nuk kemi arritur asnjëherë kaq shumë në fundore, por për fat të keq finalizimi që është aspekti i konkretizimit të punës, nuk na del, në një mënyrë apo tjetër. Kemi probleme ne pasimin e fundit, e kemi diskutuar edhe me djemtë, ndaj do të gjej zgjidhje të tjera si ndaj Islandës për të vënë në vështirësi Izraelin. Nga kjo pikëpamje kemi përgatitur mirë skuadrën për të shfrytëzuar situatat. Pastaj në fushë shihet kush e meriton më shumë a më pak, është një diskutim që mbetet i hapur, se nëse e merr në konsideratë asnjë skuadër nuk ka asgjë për të humbur. Si Islanda, Izraeli e Shqipëri, rënie nuk ka, ndaj tension nga ana jonë nuk ka. Ideja jonë është të mos humbim ndeshjen dhe të mos vuajmë se ata shtyjnë përpara me shumë lojtarë. Kjo taktikë mund të të vërë në vështirësi, sepse janë të shpejtë, të bëjnë presion në çdo cep të fushës. Kur gjen këto skuadra mund të kesh vështirësi, por edhe ne kemi forcat tona dhe do të punojmë që t’i vëmë në vështirësi duke marrë në konsideratë vlerat e kësaj skuadre se ka vlera të rëndësishme.

Si është gjendja e Uzunit dhe Brojës? A mund ta nisin nga minuta e parë nesër?
Nuk e kam zakon të them se kush luan para ndeshjes. Janë mirë të dy. Uzuni u shërua dhe kur u kthyem tregoi se është në gjendje 100%. E njëjta për Brojën. Kush do luajë, do e ruaj për nesër, kur t’u them djemve. Shpresojmë të jenë mirë, nëse aktivizohen, shpresojmë të jenë në formë që të na zgjidhin problemet në fazën ofensive.

Si ndikojnë zërat e merkatos në përgatitjen e ndeshjes?
Të gjithë faktorët ndikojnë, pasi ka lojtarë pa kontratë e të tjerë që janë në negociata për të ndryshuar ekip dhe këto sigurisht që shkaktojnë shpërqendrim. Kjo është pjesë e profesionit që bëjmë dhe duhet të përqendrohemi te lojtarët që janë më të impenjuar e të përqendruar. Gjithsesi unë dua të komplimentoj të gjithë lojtarët, pasi janë treguar të gatshëm dhe kanë treguar impenjim maksimal në ditët e grumbullimit me kombëtaren.

Ju shqetëson fakti që pritet mot me shi?
Jo, aspak. Pavarësisht motit, ne duhet të bëjmë një ndeshje të madhe dhe të fitojmë. Më intereson shumë impenjimi maksimal, pasi vetëm kështu mund të marrim atë që duam nga kjo ndeshje.


Top Channel

You may also like