Rama: Do të krijohet një strukturë e cila do të merret me tenderimet

by admin
Spread the love

Kryeministri Edi Rama, ka folur ditën e sotme në Konferencën e Parë Kombëtare të Antikorrupsionit në lidhje me hapat e radhës që do të hidhen në mënyrë që tenderat të mos jenë më “barrë” e administratës.

Ai u shpreh se do të krijohet një strukturë e cila do të merret me tenderimet, ku ka paralajmëruar edhe përfshirjen e ekspertëve të jashtëm dhe kompanitë ndërkombëtare.

“Nuk është e rastit, që në raportet e ndërkombëtarëve Shqipëria hyn në grupin e vendeve më të zhvilluara nga ana dixhitale. Aty ku hyn në grupin e vendeve të prapambetura, është sektori privat. Duhet të bëjmë përpjekje që privati të kthehet në nivelin e shtetit të sektorit publik.

Dua të theksoj pjesën që ka të bëjë me tenderat. Është një transformim nëse nisemi nga ku ka filluar kjo punë. Në raportin që kemi përgatitur, që nuk ka interpretim por vetëm fakte, flitet qartë si kemi lëvizur në rrugën e duhur, por edhe këtu ka probleme. Nëse do të thoshim që tenderat kanë arritur në nivelin që meritojnë operatorët në transparencë, duhet të ishim në këmbë të gjithë, jo për të çelur negociatat por për të qenë pjesë e BE.

Po nisim hapat për të çliruar administratën nga procesi i kontraktimit, për të përfshirë ekspertizën e jashtme dhe kompani ndërkombëtare që ministritë të bëjnë ministritë, administrata të bëjë administratën dhe procesin e tenderimit të bëjnë struktura që kanë profesionalizëm më të lartë.

Një nga problemet tona më të mëdha nuk është korrupsioni apo përzierja me qëllimin e devijimit të ligjit për përfitim, por edhe paaftësia për të ndërtuar procese transparente, të drejta e profesionale”, ka deklaruar Rama.

You may also like