Qindra të bllokuar për disa orë, dhjetëra të asfiksuar – Shqip

by admin
Spread the love

Në vendngjarjes forcat të shumta zjarrfikëse dhe krerët e institucioneve më të rëndësishme në vend

Për banorët e qytetarët e shumtë që ndodheshin në këtë godinë 12 katëshe në Lushnje, kjo drekë Krishtlindjesh u kthye padyshim në makth, që vijon tashmë prej 3 orësh.

Pamjet që vijnë nga ky qytet ngjajnë me ato të një situate lufte. Banorë që evakuohen nga dritaret e ballkonet e shtëpive të tyre, zjarrfikës që lenë përgjysmë operacionin për shkak të asfiksisë, ndërsa qytetarë të shumtë shohin nga poshtë godinën 12 katëshe të mbuluar e tëra nga tymi, në ankth për të dashurit e tyre që ndodhen të bllokuar brenda (Lexo më shumë).

Një zjarr i raportuar fillimisht rreth orës 14:30 minuta të kësaj të hëne, u përhap thuajse në të gjithë godinën, duke bllokuar brenda me qindra persona (Lexo më shumë). Në katet e para ndodhet një qendër tregtare, ndërsa katet lart, dy godinat që ndodhen përballë njëra-tjetrës, janë të banuara.

Zjarri që dyshohet se nisi në katin 3 ose 4 të njërës prej godinave, ku ndodhet një restorant bëri që tymi të mbulonte të gjithë godinën. Paniku dhe mungesa e shkallëve të emergjencës e bënë situatën edhe më të vështirë. Shumë banorë mbetën të bllokuar në shtëpitë e tyre, në pamundësi për të dalë jashtë.

Të papërgatitur për një situatë të tillë, në ndihmë të forcave zjarrfikëse të Lushnjes, shkuan kolegë të tyre nga qytetet përreth, por edhe nga Tirana. Po ashtu në vendngjarje janë ambulanca të shumta, shërbime të policisë, ato të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat speciale RENEA (Lexo më shumë).

Teksa banorët e njërës prej godinave u evakuuan të gjithë, operacionet vijuan për disa orë në godinën tjetër, ku kishte ende njerëz të bllokuar brenda.

Rreth orës 17:00 një helikopter tentoi të ndërhynte, por pa sukses. Pas shumë përpjekjesh, forcat RENEA mundën të futen nga hyrja qendrore. Të pajisur me mjete të nevojshme për të shpërthyer dyert e blinduara.

Në orën 18:30 autoritetet njoftuan se kishin mundur të nxirrnin jashtë godinës të gjithë qytetarët (Lexo më shumë).


Janë me dhjetëra qytetarët të cilët si pasojë e tymit u asfiksuan, mes tyre fëmijë e të moshuar. Ministria e Shëndetësisë tha se janë të paktën 40 persona që po marrin ndihmë mjekësore. Në mesin e tyre 3 janë fëmijë, ndërsa 4 të tjerë zjarrfikës. Të gjithë ndodhen në spital, fatmirësisht pa rrezik për jetën (Lexo më shumë).

Kjo ngjarje e rëndë bëri që drejtuesit e institucioneve më të rëndësishme në vend të shkojnë atje. Aktualisht në vendin e ngjarjes ndodhet Ministri i Brendshëm Taulant Balla, Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçiu, kreu i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku, kreu i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj, etj.

Intensiteti i tymit dhe zjarrit ka rënë, megjithatë vatra dyshohet të jetë ende aktive./tvklan.al

 

You may also like