Putin nis vizitën në Kinë, ofron mbështetjen e tij për zgjerimin ekonomik dhe diplomatik jashtë vendit

by admin
Spread the love

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka mbërritur sot në Pekin.

Vizitë kjo që vë në pah mbështetjen e Kinës për Moskën gjatë luftës së saj kundër Ukrainës, si dhe mbështetjen ruse për përpjekjet e Kinës për të zgjeruar ndikimin ekonomik dhe diplomatik jashtë vendit.

Të dy shtetet kanë krijuar një aleancë joformale kundër Shteteve të Bashkuara dhe shteteve të tjera demokratike, aleancë që tani është ndërlikuar për shkak të luftës Izrael-Hamas. Kina ka synuar që të ketë balancë në raportet e saj me Izraelin kundër marrëdhënieve të saj me Iranin dhe Sirinë, dy shtete që fuqishëm e mbështesin Rusinë. Me këtë të fundit, Kina ka lidhur raporte për arsye ekonomike, por edhe për të sfiduar ndikimin e Uashingtonit në Lindje të Mesme.

Vizita e Putinit në Kinë po bëhet po ashtu për të treguar mbështetje për nismën e presidentit kinez, Xi Jinping. Nisma “Brezi dhe Rruga” përqendrohet në ndërtimin e infrastrukturës dhe zgjerimin e ndikimit të Kinës në botë. Në një intervistë për median shtetërore kineze, Putin lavdëroi projektet masive, por tërthorazi i lidhi ato me nismën “Brezi dhe Rruga”.

Putin është në mesin e të ftuarve të nivelit të lartë që janë mbledhur në Kinë për të shënuar 10-vjetorin e nismës Brezi dhe Rruga, që është zgjeruar në shtete sikurse Zambia dhe Shri Lanka, të cilat kanë marrë borxhe të mëdha nga Kina për të ndërtuar rrugë, aeroporte dhe projekte të tjera. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka lavdëruar politikën e Kinës për të sjellë zhvillim në zonat e neglizuara.

I pyetur të premten për vizitën e tij, Putin tha se do të bisedojë për projektet e lidhura me nismën Brezi dhe rruga. Lideri rus tha se Moska dëshiron të bashkohet me ish-shtetet e Bashkimit Sovjetik në Azinë Qendrore në përpjekje “për të arritur synime të përbashkëta të zhvillimit”.

Putin dhe Xi po ashtu pritet të diskutojnë për lidhjet në rritje ekonomike midis Moskës dhe Pekinit në fushën e energjisë, të teknologjisë së lartë dhe industrive financiare. Vetëm disa javë para se Rusia të niste pushtimin e Ukrainës shkurtin e kaluar, Putin u takua me presidentin kinez në Pekin dhe të dy liderët nënshkruan një marrëveshje për raporte pa kufi.

Kina ka tentuar që ta paraqesë veten si një ndërmjetëse neutrale të paqes në luftën e Rusisë dhe Ukrainës, por gjerësisht është refuzuar nga komuniteti ndërkombëtar. Xi ka vizituar Moskën në mars. Kina ka dënuar sanksionet ndërkombëtare të vendosura ndaj Moskës për shkak të luftës ndaj Ukrainës. /REL


Top Channel

You may also like