Profil: Kush është Remzi Ejupi?

by admin
Spread the love

Gara për të parin e Federatës së Futbollit të Kosovës dita ditës po bëhët më interesante, me kandidatë të ndryshëm. Deri më tani janë paraqitur gjashtë prej tyre por që ende nuk kanë zyrtarizuar kandidaturën, pasi për të qenë kandidat duhet të kenë siguruar 15 nënshkrime të delegatëve, shkruan Insporti.

Biznismeni dhe presidenti i FC Prishtinës, Remzi Ejupi, është në garë për karrigen e të parit të FFK-së.

Të dielën mbrëma, Ejupi në emisionin “Dueli Sportiv” në RTV Dukagjini deklaroi se e synon postin e Kryetarit të FFK-së.

Ai po ashtu zbuloi se tashmë ka filluar punën në projektin dhe planin e tij me një grup ekspertëve ndërkombëtarë.

Ejupi në krye të Prishtinës është prej vitit 2004. Nën udhëheqjen e tij, Prishtina ka fituar gjashtë tituj të kampionit, pesë Kupa dhe pesë vjet ka garuar në Evropë. Ai krenohet edhe me disa të arritura të tjera.

Themelues dhe drejtor ekzekutiv i kompanisë Eurokoha. E themeluar në vitin 1994, Eurokoha është kompani lidere në transportin ajror dhe turizëm në Kosovë, e cila operon edhe në, Zvicër, Gjermani, Maqedoni dhe Shqipëri.

Në vitin 2003, bashkë themeloi Bankën e Re të Kosovës, dhe ishte kryetar i bordit të Drejtorëve deri në vitin 2006. Gjatë viteve 2013 deri më 2015 ka shërbyer si kryetari i parë i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Prej vitit 2006 është kryetar i FC Prishtina, klubit më të vjetër dhe më të suksesshëm, të futbollit në Kosovë. Remzi Ejupi njihet edhe si lantrop i madh, i cili ka ndihmuar shoqata, biznese dhe individ dhe ka dhënë mbështetje të projekteve të shumta të kulturës, spotit dhe të arsimit.

Si aktivist i palodhur në luftën e Kosovës për liri, ka qenë udhëheqës i koncerteve historike “Kosova Djep Lirie” për senzibilizimin e Diasporës Shqiptare gjatë kohës së luftës.

Zgjedhjet për Kryetarin e ri të FFK-së do të mbahen pas përfundimit të sezonit dhe sipas rregullores afati i fundit është muaji korrik i këtij viti.

Në garë përveç Ejupit, priten të jenë Agim Ademi(kryetar aktual), Arianit Ahmeti, Nexhat Dumnica, Bekim Shotani./Insporti/

You may also like