Presidentja Osmani takon kryetarët e komunave arbëreshe në Itali

by admin
Spread the love

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar sot me kryetaren e Provincës së Kozencës, Rosaria Succurro, me të cilën bisedoi për raportet ekonomike, politike e kulturore mes komunave të ndryshme të Kosovës dhe Kozencës.

Osmani theksoi se është shumë e rëndësishme që të krijohen mundësi të reja të bashkëpunimit mes bizneseve tona, institucioneve kulturore dhe operatorëve turistikë, njofton Klankosova.tv.

“Digjitalizimi i dorëshkrimeve letrare shqipe të shekullit XIX është pasuri e cila duhet t’u ofrohet studiuesve dhe gjeneratave të reja”, tha Presidentja Osmani.

Osmani, zhvilloi një takim edhe me kryetarët e komunave arbëreshe të Provincës së Kozencës teksa i falënderoi ata për përkushtimin e pashoq për kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditave arbëreshe, si pjesë e të rëndësishme e kulturës dhe identitetit shqiptar.

“Ne duam të punojmë së bashku me ju për identifikimin e mundësive për realizimin e projekteve të përbashkëta për ruajtjen, kultivimin dhe përparimin e mëtejmë të traditave tuaja kulturore e gjuhësore”, tha Presidentja.

Presidentja rikujtoi rolin e jashtëzakonshëm, të cilin arbëreshët e kanë luajtur përgjatë historisë në ruajtjen dhe promovimin e identitetit kulturor e politik të shqiptarëve.

Më tej, Presidentja çmoi mënyrën se si arbëreshët kanë krijuar model të vyer për gjithë mërgimtarët se si, duke u integruar në jetën e vendit mikpritës, i kanë kultivuar e ruajtur traditat e veta, duke u shndërruar në qytetarë të suksesshëm të vendit, por edhe kontribuues për kulturën e të parëve.

“Ju i keni dhënë kulturës e trungut etnik, por edhe vendit mikpritës, Italisë, ngjyrat e një kulture të veçantë, e cila është pasuri e vendit dhe e kulturës prej nga vini, por edhe e vendit i cili ju mirëpriti”, tha Osmani.

Më tej, Presidentja e shtroi mundësinë e hartimit dhe të realizimit të projekteve për ruajtjen e trashëgimisë gjuhësore e traditave kulturore, nëpërmjet regjistrimit e botimit të kujtesës gojore.

“Rënia e ngadaltë e përdorimit te gjuhës shqipe te brezat e rinj dhe zvogëlimi i popullatës, për shkak migrimit, është sfidë me të cilën ballafaqohen shumë vende, përfshirë edhe rajonet në të cilat jetojnë arbëreshët. Prandaj duhen politika të qarta promovuese”, tha Presidentja.

Ajo nënvizoi domosdoshmërinë e shtrirjes së bashkëpunimit, hartimin e itinerareve turistike dhe shkëmbimeve kulturore, për ta ruajtur lidhjen me tokën e të parëve teksa e çmoi bashkëpunimin e komunave arbëreshe, të cilat tashmë janë binjakëzuar me disa komuna të Kosovës.

Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

 

You may also like