Presidenti kinez dhe liderët e Azisë Qendrore në samitin për 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike

by admin
Spread the love

Të pranishëm në samitin e organizuar me rastin e 30-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kinës dhe vendeve të Azisë Qendrore ishin Presidenti i Kazakistanit – Kassym-Jomart Tokayev, Presidenti i Kirgizisë – Sadyr Japarov, Presidenti i Taxhikistanit – Emomali Rahmon, Presidenti i Uzbekistanit – Shavkat Mirziyoyev dhe Presidenti i Turkmenisë – Gurbanbuly Berdimuhamedow.

Duke vënë në pah se Kina dhe shtetet e Azisë Qendrore kanë zhvilluar marrëdhënie të mira e shembullore në marrëdhëniet ndërkombëtare gjatë tri dekadave të fundit, Xi Jinping tha se sekreti i këtij suksesi bazohet në respektin reciprok, fqinjësinë e mirë, solidaritetin në kohë të vështira dhe përfitimin reciprok.

Pasi theksoi se Pekini mbështet stabilitetin dhe zhvillimin e rajonit, Jinping vijoi me këto fjalë: “Pavarësisht se si evoluojnë kushtet ndërkombëtare apo se sa rritet Kina, ne do të mbetemi gjithmonë një fqinj i mirë, partner dhe vend vëllazëror, të cilit vendet e Azisë Qendrore mund t’i besojnë.”

Ai nënvizoi gjithashtu se Kina dëshiron t’i zhvillojë më tej marrëdhëniet e saj me shtetet e Azisë Qendrore dhe të ndërtojë së bashku një të ardhme të përbashkët, ndërsa premtoi mbështetje për vendet e rajonit në furnizimin me vaksina, barna dhe materiale mbrojtëse kundër pandemisë së llojit të ri të koronavirusit (COVID-19).

“Këtë vit, ne jo vetëm do të sigurojnë 50 milionë doza vaksine për vendet e Azisë Qendrore, por synojmë edhe që të transferojmë në vendet e rajonit teknologjinë dhe njohuritë shkencore në këtë fushë”, shtoi presidenti kinez.

Po ashtu Jinping bëri me dije se tregtia ndërmjet Kinës dhe shteteve të Azisë Qendrore është 100-fishuar përgjatë 30 viteve pas mëvetësisë së këtyre ish-republikave sovjetike dhe investimet direkte të Pekinit në vendet e rajonit kanë arritur në 14 miliardë dollarë.

Në fund të fjalës së tij, duke theksuar se projektet në kuadër të iniciativës “Një Brez, Një Rrugë”, të cilën Kina e paraqiti për herë të parë në një takim të mbajtur në Kazakistan në vitin 2013, janë kyçe për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kinës dhe shteteve të Azisë Qendrore, Xi Jinping shprehu gatishmërinë e Pekinit për të hapur tregun e madh kinez për produktet e Azisë Qendrore dhe objektivin për të rritur tregtinë e ndërsjellë në 70 miliardë dollarë deri në vitin 2030.

You may also like