Presidenti iranian mbërrin në Zimbabve mes brohorimave anti-perëndimore, në ndalesën e fundit afrikane (fotot)

by admin
Spread the love

Presidenti i Iranit, Ebrahim Raisi u prit sot në Zimbabve nga njerëz që këndonin këngë e brohorima kritike ndaj Perëndimit, teksa mbërriti në ndalesën e tij të fundit të turneut të tre vendeve të Afrikës.

Raisi u prit në kryeqytetin Harare nga presidenti zimbabvean Emmerson Mnangagwa, i cili falënderoi liderin iranian për shfaqjen e solidaritetit.

Të dy vendet janë aktualisht nën sanksionet e SHBA.

Ndalesat e Raisi në Afrikë përfshinin gjithashtu Kenia e Uganda, dhe vijnë në kuadër të përpjekjeve të Iranit për të ndërtuar partneritete të reja ekonomike për të zbutur efektet e sanksioneve.

Irani e Zimbabve kanë nënshkruar më parë krijimin e një komisioni të përbashkët të marrëdhënieve tregtare e politike.

Vendet kanë gjithashtu lidhje të përbashkëta historike, shkruan rrjeti Washingtontimes.

Dhe në fakt Mnangagwa falenderoi Raisi për ndihmën e Iranit në luftën e çlirimit në vitet 1970-të që solli pavarësinë e vendit afrikano-jugor nga qeverisja e minoritetit të bardhë.

“Kur ne ishim në Luftë, Iran ishte një mik i yni. Jam i lumtur që sot vini për të treguar solidaritet”, tha Mnangagwa në komentet e shkurtra në pistën e aeroportit Robert Gabriel Mugabe International Airport, emërtuar sipas ish-liderit të vendit që u largua me grusht shteti në 2017, në të cilin merrte pjesë dhe vetë Mnangagwa.

Disa dhjetra mbështetës kishin ardhur në pritjen e Raisi, disa me flamurë të Zimbabves e Iranit dhe disa me portrete të Raisi. Ata brohorisnin këngë kritike ndaj Perëndimit dhe “shefave të bardhë” që ndërhynin në Zimbabve.

Dje në vizitën e tij në Uganda, Raisi kritikonte ashpër vendet perëndimore për promovimin dhe mbështetjen ndaj homoseksualitetit  dhe LGBTQ+, duke e quajtur “një nga gjërat më të pista.”

Ai shtonte se ligjet e fundit anti-gay të Ugandas dhe kritikat ndaj Perëndimit, ishin një “ishin një aspekt bashkëpunimi mes Iranit dhe Ugandes.”

Zimbabve gjithashtu ka ligje anti-gay, dhe homoseksualiteti është i jashtëligjshëm.

Por Mnangagwa nuk ka sulmuar homoseksualitetin, ndryshe nga pararendësi i tij Mugabe, i cili e përshkruante si “më keq se derrat e qentë.”