PORTUGALI – Qendra e djathtë “Chega” fiton zgjedhjet parlamentare

by admin
Spread the love

MADRID, 11 mars /ATSH-DPA/- Socialistët në Portugali janë rrëzuar pas tetë vjetësh në pushtet, ndërsa partia e ekstremit të djathtë Chega (Mjaft) arriti të merrte një mbështetje më të madhe në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Aleanca Demokratike (AD) e qendrës së djathtë mori 29,5% të votave, duke mundur ngushtë Partinë Socialiste (PS) të qendrës së majtë me 28,7%, ndërsa më shumë se 99% e votave u numëruan sot në mëngjes.

Partia 5-vjeçare “Chega”, e udhëhequr nga ish-eksperti sportiv, André Ventura pati një rritje të votave në rreth 18% krahasuar me 7% në 2022.

Partia do të rrisë praninë e saj në parlamentin kombëtar me 230 vende në Lisbonë nga 12 në 46. Aleanca Demokratike do të ketë të paktën 79 vende ndërsa socialistët 77.

Mbështetja e fortë për “Chega” sfidoi reputacionin e Portugalisë në Evropë si një mburojë kundër ekstremizmit të krahut të djathtë që ka bërë depërtime të fuqishme gjetkë në kontinent.

Disa kritikë besojnë se “Chega”, slogani më i njohur zgjedhor i të cilit është “Pastroni Portugalinë”, ka kohë që ka kaluar nga e djathta populiste në ekstremizëm të djathtë.

Formimi i një qeverie ka të ngjarë të jetë i vështirë, pasi asnjë nga dy partitë kryesore nuk kanë thënë se duan të punojnë me “Chega”, duke pasur parasysh reputacionin toksik të partisë.

Për më tepër, një “koalicion i madh” mendohet i pamundur në Portugali për shkak të dallimeve të pakapërcyeshme politike. //a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like