Porti i Durrësit, Agron Shehaj plas deklaratën e fortë: Pretendimet e Ramës dhe Alabarit, mashtrim për të grabitur pronën publike

by admin
Spread the love

Agron Shehaj, ka publikuar një dokument ku sipas tij, ndërtimet e pallateve në Portin e Durrësit janë projekt personal i Mohamed Alabarit, i cili shërben si fasadë edhe për përfituesit e tjerë nga këto ndërtime.

Në postimin e tij në “Facebook”, Shehaj thekson se “kompania Eagle Hills Real Estate Development shpk, me të cilën ka bërë kontratën qeveria Rama, nuk ka ASNJË lidhje pronësore, juridike apo financiare me Emaar Group apo me Eagle Hills Development të Abu Dabit. Asnjë lidhje. Zero”.

Sipas Shehajt, i gjithë projekti i ndërtimeve në Durrës është një skemë mashtrimi, për të vjedhur tokën publike për të ndërtuar me para nën fasadën e Mohamed Alabarit, i cili do fitojë qindra miliona euro pa rrezikuar asnjë qindarkë.

Postimi i plotë:

“Ndërtimet e pallateve në Portin e Durrësit janë projekt personal i Mohamed Alabarit, i cili shërben si fasadë edhe për përfituesit e tjerë nga këto ndërtime. Të gjitha pretendimet që Edi Rama dhe Alabar bëjnë me Emaar dhe Eagle Hills të Abu Dabit janë mashtrime kokë e këmbë. Faktet janë të thjeshta:

1. Eagle Hills Real Estate Development shpk, me të cilën ka bërë kontratën qeveria Rama, nuk ka ASNJË lidhje pronësore, juridike apo financiare me Emaar Group apo me Eagle Hills Development të Abu Dabit. ASNJË LIDHJE. ZERO. Eagle Hills në Shqipëri me kapital 10 mijë lekë është kompani guackë (pra, kompani pa aktivitet dhe pa kapital), në pronësi të një kompanie guacke (North Hill), e cila edhe kjo është në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Global), që është edhe kjo në pronësi të një tjetër kompanie guackë (Symphony Investment). Ky zinxhir katër kompanish guackë njëra pas tjetrës është tipik për skemat e pastrimit të parave.

2. Edhe pse ka bërë marrëveshje me kompani guackë, pa asnjë kapital dhe aktivitet, qeveria Rama nuk ka asnjë dokument zyrtar se kush janë pronarët fundorë të këtyre kompanive guackë. Ajo është mjaftuar me një deklaratë personale të formulaur në mënryë aspak profesionale dhe pa vlere të Mohamed Alabarit, i cili ka deklaruar se është ai dhe familja e tij pronarë të kompanive guackë: deklaratë e bërë në një copë letër vetëm me firmë, pa asnjë element zyrtar (kokë, vulë) dhe pa asnjë certifikim (noterizim dhe apostile). Është një letër identike me letrat e bakallit që lëshonte Sudja në kohën e piramidave.

3. Alabar nuk është pronar i Emaar. Ai mund të ketë një përqindje të papërfillshme të aksioneve, por kjo nuk e bën ate pronar te Emaar. Emaar është shtetërore dhe është ne bursë dhe ka me dhjetëra mijëra aksionerë dhe asnjë nuk mund të thotë se është pronar i Emaar.

I gjithë projekti i ndërtimeve në Durrës është një skemë mashtrimi për të vjedhur tokën publike për të ndërtuar me para, nën fasadën e Mohamed Alabarit i cili do fitojë qindra miliona euro pa rrezikuar asnjë qindarkë.

 

You may also like