VARSHAVË, 27 dhjetor /ATSH-DPA/ – Qeveria e re e kryeministrit polak Donald Tusk po shpërndan zyrtarisht median publike, por ka planifikuar të mbajë vendet e punës.
“Pas vendimit të presidentit të Polonisë për të pezulluar financimin e mediave publike, kam vendosur të likuidoj TVP, Radion Polake dhe agjencinë e lajmeve PAP”, shkroi ministri i Kulturës Bartlomiej Sienkiewicz në X, e njohur më parë si Twitter.
Ai tha se kjo do të sigurojë funksionimin e vazhdueshëm të medieve dhe do të mundësojë vazhdimin e riorganizimit të tyre.
Hapi i fundit shënon raundin tjetër në mosmarrëveshjen midis qeverisë së re pro-evropiane dhe paraardhësit të saj nacionalist të krahut të djathtë mbi median publike.
Javën e kaluar, Sienkiewicz shkarkoi të gjithë menaxhmentin e transmetuesve publikë me një hap të vetëm.
Qeveria e re e Koalicionit Qytetar (KO), e dominuar nga Platforma Qytetare (PO) e qendrës së djathtë të Tusk, akuzon mediet për përhapjen e propagandës partiake gjatë viteve të fundit nën drejtimin e qeverisë së mëparshme, të udhëhequr nga Partia nacional-konservatore e Ligjit dhe Drejtësisë (PiS).
Organizatat ndërkombëtare kritikuan gjithashtu raportimin e njëanshëm të medieve publike polake.
Të shtunën, presidenti i Polonisë Andrzej Duda, vuri veton ndaj një ligji të miratuar nga qeveria e Tusk që do të kishte subvencionuar transmetuesit publikë me ekuivalentin prej 690 milionë euro (760 milionë dollarë).
Duda e arsyetoi këtë veprim duke thënë se ishte një anashkalim i kushtetutës dhe shkelje e parimeve kushtetuese.
Ai kërkoi që fillimisht media publike të rikthehej tërësisht në përputhje me ligjin.//a.i/