Policia operacion në disa qytete të Shqipërisë, zbardhen 6 vrasje. Firmosen 15 urdhër-arreste – Shqip

by admin
Spread the love

Një operacion i madh policor po zhvillohet në disa qytete të vendit. Gazetarja e Klan News, Glidona Daci mëson se me urdhër të Prokurorisë së Elbasanit janë lëshuar 15 urdhër-arreste.

Sipas informacioneve të gazetares, janë zbardhur 6 vrasje të kryera për llogari të grupit të Laert Haxhiut, të arrestuar në Janinë të Greqisë pak muaj më parë. (Lexo më shumë)

Sipas informacioneve të gazetarit të Klan News Besar Bajraktari, ngjarjet kriminale të kryera ndër vite janë zbardhur nga Artan Tafani, i cili është bërë bashkëpunëtor i drejtësisë.

Ai ka rrëfyer se vrasjet janë kryer në Greqi, Tiranë, Elbasan dhe Berat.

Sipas të dhënave të gazetarit Bajraktari, në mesin e personave që Tafani ka përmendur si autorë vrasjesh, janë edhe emra të njohur të botës së krimit. Që prej identifikimit policia ka pasur dyshime të përfshirjes së Tafanit në aktivitet të theksuar kriminal, pjesë e grupit të Laert Haxhiut me bazë në disa qytete.

Ai ishte mbajtur në vëzhgim për disa kohë dhe më pas është ndërhyrë për arrestimin e tij. Kapja e tij është mbajtur sekret për shkak të hetimeve dhe rrëfimeve që po bënte për ngjarjet kriminale.

Artan Tafani u arrestua disa ditë më parë nga Policia e Lushnjes, pasi ishte shpallur në kërkim si autor i grabitjes së 40 mijë Eurove në një pikë të këmbimit valutor në zonën e Astirit në Tiranë në muajin Qershor 2023. (Lexo më shumë)

Operacioni është në vijim dhe në shumë akse kombëtare e qytete ka pika të shumta kontrolli për kapjen e personave në kërkim.

/tvklan.al

You may also like