Policia arrestoi bosin e mafias italiane me anë të një shënimi të koduar

by admin
Spread the love

Një shënim i koduar i fshehur brenda këmbës së një karrigeje ndihmoi në arrestimin e bosit më të kërkuar të mafies në Itali, Matteo Messina Denaro.

Policia e gjeti shënimin gjatë një operacioni të fshehtë në shtëpinë e motrës së tij Rosalia, një muaj para arrestimit të tij në kryeqytetin sicilian Palermo në janar.

Rosalia Messina Denaro u arrestua gjithashtu në Siçili të premten. Vëllai i saj, 60 vjeç, kaloi 30 vjet në arrati dhe besohet se i ka shpëtuar drejtësisë me ndihmën e familjes.

Ai dyshohet se është një bos i mafies famëkeqe Cosa Nostra dhe u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2002 për një varg vrasjesh. Denaro përfundimisht u kap nga policia jashtë një klinike private në Palermo , ku ai po trajtohej për kancerin me një identitet të rremë, më 16 janar.

Më shumë se 100 pjesëtarë të forcave të armatosura u përfshinë në arrestimin e tij.

Rosalia 67 vjeçe, e njohur gjithashtu si Rosetta, u arrestua vetë në Siçili për akuzat e anëtarësimit në mafia të premten, ku policia italiane lëshoi një urdhër arresti prej 57 faqesh, duke detajuar disa nga rrethanat që çuan në arrestimin e mëhershëm të vëllait të saj.

Urdhri zbulon se policia gjeti një shënim brenda këmbës së një karrige alumini në shtëpinë e Rosalias në qytetin Castelvetrano, ndërsa përpiqej të vendoste një pajisje dëgjimi brenda gjatë një operacioni në dhjetor.

Oficerët fotografuan shënimin, i cili fillimisht dukej si një grumbull fjalësh, shenjash dhe shkronjash.

Shënimi ishte në fakt një copë e vogël letre e shkruar në kod e përdorur nga Messina Denaro për të komunikuar me të afërmit dhe bashkëpunëtorët e tij.

Analiza tregoi se dokumentoi luftën e një burri me kancerin e zorrës së trashë, me policinë që e përqendroi vëmendjen e saj te Messina Denaro pasi verifikoi se asnjë anëtar tjetër i familjes nuk kishte diagnoza të ngjashme me kancer.

“Rezultati historik i kapjes… ka origjinën nga një shënim, i mbajtur pa kujdes, megjithëse i fshehur, nga Rosetta”, shkruante një gjyqtar në urdhër.

Ajo dyshohet se ka luajtur një rol të madh në familjen e saj mafioze, duke vepruar si arkëtare, me policinë që ka thënë se ajo ka komunikuar me vëllain e saj duke përdorur emrin e koduar “Fragolone”, ose “luleshtrydhe e madhe”.


Top Channel

You may also like