Po mahnit të gjithë që në ndeshjet e para me Juven, Alegri i përulet Jilldëzit: Është një lojtar i madh

by admin
Spread the love

Gjashtë gola të shënuar, çerekfinalet e Kupës së Italisë ku të enjten do i presë Frozinone, por mbi të gjitha një Juventusi që vazhdon të lëshojë sinjale force. Dhe jo vetëm Salernitanës me të cilën do të përballet edhe të dielën në kampionat, këtë herë në transfertë, por edhe Interit në kampionat, i cili pak orë përpara Vitit të Ri tregoi se ndonjë hap fals mund ta bëjë dhe Juventusi është aty për të përfituar.

Në të njëjtën kohë, trajneri Masimiliano Alegri i gëzohet të rinjve që ndeshje pas ndeshjeje po japin gjithmonë e më shumë përgjigje pozitive, Kenan Jilldëz më shumë se kushdo tjetër, me turkun që po shpërblen gjithmonë e më shumë besimin e “kontit” Maks.

“E nisëm duke pësuar një gol që nuk e kishim llogaritur as në mendimet më të këqija, por më pas reagimi ishte më shumë sesa i mirë. Përmbysëm një ndeshje që nisi keq dhe e mbyllëm shpejt atë, duke dhënë një sinjal tepër pozitiv. Jemi mjaft mirë fizikisht dhe mbi të gjithë në fund morëm një fitore, e cila ofroi edhe një futboll të bukur. Por tani bëjmë mirë që ta harrojmë këtë sukses, sepse të dielën do të na presë një Salernitanë ndryshe, me shumë lojtarë të tjerë që pushuan dhe mbi të gjitha përpara publikut të saj. Ata do të jenë dyfish të motivuar në kampionat pas 6 golave që pësuam, kështu që mos të dehemi më kot nga euforia, – bën hyrjen e tij trajneri i Juventusit.

– Të rinjtë në superformë? Përgjigje pozitive mora nga e gjithë skuadra, e cila tregon se po rritemi ndeshje pas ndeshjeje. Bëmë një lojë edhe shumë ofensive, duke vrapuar shumë edhe aty përpara dhe kjo më pëlqen shumë, pasi në këtë mënyrë krijohet superioritet numerik dhe bëhemi më të rrezikshëm.

Mund ta shohim trion Vlahoviç-Kieza-Jilldëz? Varet nga disa pikëpamje të ndryshme, por ajo që di të them është se Kieza dhe Jilldëz më pas bënë vërtet një ndeshje madhështore. Jilldëz pastaj ka të gjitha premisat që të bëhet një futbollist shumë i madh, sepse ka cilësi të rëndësishme, por mbi të gjitha është shumë i zgjuar sa herë që ka topin në këmbë dhe kjo e bën që të ofrojë gola spektakolarë siç ka treguar.

Edhe Ueah bëri një gol shumë të bukur, por e rëndësishme është që të vazhdojmë në këtë rrugë dhe mbi të gjitha, të nisim të kuptojmë se këto fitore te Juventusi nuk janë arritje, por thjesht normaliteti, ndonëse titujt e trofetë fitohen në verë”, përfundoi Alegri.

Përgatiti: JETON STAMOLLA – PANORAMASPORT.AL

You may also like