Plani i ASH në Qeveri, çka po zihet?

by admin
Spread the love

Aleanca për Shqiptarët javën e ardhshme prezenton një dokument përmes të cilit do të tentojë të ofrojë zgjidhje dhe ide për tejkalimin e situatës në të cilën ndodhet vendi qoftë në aspektin politik, energjetik e ekonomik.

Ky informacion i cili për televizionin Globi bëhet i ditur nga burime brenda ASH-së, thotë se dokumenti fillimisht do t’u prezentohet ambasadave të huaja e pastaj opinionit vendor. Dokumenti, siç bën të ditur burimi ynë, parasheh edhe mundësinë e hyrjes së Aleacës për Shqiptarët në Qeveri, pasi zgjidhjet që i ofron kjo parti, mendojnë se mund t’i bëjnë vetëm nëpërmjet kuadrove të tyre. Jo zyrtarisht ASH do të kërkoj dikasterin e shëndetësisë të cilën si pjesë e dikurshme e Qeverisë e kishte drejtuar tani kryetari i saj, Arben Taravari.

Në lojë ASH ka edhe dikasterin e drejtësisë. Sipas burimit i cili foli në kushte anonimiteti për redaksinë tonë, përmes ministrisë së drejtësisë, ASH do të tentojë të zgjidh disa çështje të cilat lidhen me burgosjen e shqiptarëve nga e kaluara e për të cilat ka dilema se pas grilave qendrojnë të pafajshëm. Vetë Taravari edhe sot ishte i rezervuar për të komentuar këto informacione në lidhje me bashkangjitjen e ASH-së në ekzekutiv dhe të ndonjë takimi eventual me përfaqësues të shumicës për këtë çështje.

“Sot kam takime në zyrën time këtu në Gostivar me përfaqësues të projektit SECO që e realizojmë. Pra nuk ka asnjë lëvizje që ASH bëhet pjesë e Qeverisë? Tash për tash nuk ka asngjë”, u përgjigj shkurt Taravari.

Fillimisht siç bën të ditur ky zyrtarë i lartë i ASH-së për televizionin Globi, ideja për t’iu bashkangjitur ekzekutivit është propozuar nga faktori ndërkombëtar. Zyrtarët e huaj i kanë thënë ASH – së se duhet të kontribuojë në vazhdimin e rrugës evropiane të Maqedonisë së Veriut dhe nëse duhet edhe me rritjen e numrit të votave në Kuvend dhe forcimin e shumicës që sa më lehtë e sa më parë të ndodhin ndryshimet kushtetuese.

Si ofertë zyrtare ASH – së nuk i është bërë as nga LSDM e as nga ndonjë subjekt tjetër i shumicës për të qenë pjesë e Qeverisë. Ka pasur vetëm bisedime mes deputetëve të saj dhe atyre të LSDM – së, të cilët parapëlqejnë që ASH të jetë pjesë e shumicës. Rrjedhja e ndodhive do të dihet më së voni javën tjetër kur partia e Taravarit pritet të publikojë dokumentin me zgjidhje dhe kërkesat e tyre ndaj pushtetit./TV Globi

You may also like