Piatek bën Fiorentinën të ëndërrojë Championsin, Atalanta në rënie të lirë

by admin
Spread the love

Pasi e eliminoi nga Kupa e Italisë, Fiorentina merr një tjetër fitore me peshë përballë Atalantës, kësaj radhe në kampionat. Një gol i Piatek në pjesën e dytë ka vulosur fatin e kësaj sfide direkte për Kupat e Europës dhe falë këtij suksesi Fiorentina ëndërron një vend në Champions.

Ndeshja ka qenë e luftuar, madje miqtë kanë arritur të shënojnë një gol, që është anuluar nga VAR. Fiorentina ngjitet në kuotën e 42 pikëve, ndërsa Atalanta është futur në një krizë rezultatesh, pasi tashmë ka shkuar në 5 numri i ndeshjeve pa fitore në Serie A. Skuadra e Gasperinit po vë në dyshim serioz pjesëmarrjen në Champions sezonin e ardhshëm.

Në “Franchi” luhet për zonën Champions dhe të dyja skuadrat kërkojnë që të marrin maksimumin e pikëve përballë një rivali direkt. Loja është e bukur dhe nuk mungojnë rastet nga të dyja kampet.

Fiorentina i afrohet golit me Sottil, por Musso bën një pritje të shkëlqyer dhe ruan portën të paprekur. Atalanta përgjigjet me Koopmeiners por këtë radhë është Dragowski, ai që  shpëton Fiorentinën nga goli. Pjesa e parë ka ritëm dhe emocione, por janë golat ata që mungojnë.

Vendasit nisin mirë pjesën e dytë dhe i afrohen golit me Castrovillin. Gasperini zëvendëson Djimsitin, që rrezikon të dalë me karton të kuq. Sfida zhbllokohet pak minuta më vonë, është Piatek ai që kalon në avantazh Fiorentinën.

Polaku konfirmohet si “macja e zezë” e Atalantës, pasi shënon golin e 4-t në 4 takime që ka luajtur kundër saj në Serie A.

Miqtë përgjigjen dhe gjejnë rrugën e rrjetës me Malinovskyi, por VAR anulon golin për pozicion jashtë loje të Hateboer. Gasperini është shumë i nervozuar me këtë vendim dhe gjyqtari Doveri e largon me karton të kuq teknikun e Atalantës.

Rritet tensioni dhe miqtë hidhen në sulm në kërkim të golit të barazimit. Mungojnë rastet e pastra dhe Fiorentina arrin që të marrë një fitore të çmuar përballë një rivali direkt. Djemtë e Italianos ëndërrojnë Championsin, ndërsa Atalanta është futur në një krizë të thellë rezultatesh.

Foto: ACF Fiorentina Twitter

Itali – Serie A / Java e 26-të

Fiorentina-Atalanta 1-0

Piatek 56’

You may also like