“Pesë mijë euro për lirinë”/ Italia vendos kushtin, si t’u shpëtojnë qendrave të ndalimit emigrantët nga vendet e sigurta

by admin
Spread the love

Italia do të kërkojë 5 mijë euro nga çdo emigrant që vjen nga vende të sigurta që të mos përfundojë në një qendër ndalimi apo të riatdhesohet.

Ndërsa gjatë mbledhjes së fundit të ministrave, kryeministrja Giorgia Meloni kishte kërkuar ndërtimin e qendrave të reja të paraburgimit dhe riatdhesimit larg qendrave të banuara,  në dekretin e ri të firmosur nga ministri i Brendshëm, Piantedosi ka një veçori të re.

Sipas mediave italiane, për afërsisht katër javë, pasi kanë dorëzuar shumën, emigrantët duhet të dëshmojnë se kanë një vend ku të qëndrojnë, mjete jetese dhe se posedojnë shumë të mjaftueshme parash për t’u rikthyer. Kjo dispozitë prek ata që ndalohen në kufi dhe shkojnë nga një vend i sigurt.

Kujtojmë se Italia po përballet me dyndje të madhe emigrantësh nga kontinenti i Afrikës.

Lampeduza, ishulli i vogël mes Siçilisë dhe Afrikës së Veriut është prej vitesh një ndër pikat problematike të emigracionit drejt Evropës dhe aktualisht qendra e pritjes nuk ka më vend për të tjerë.

Javën që shkoi, atje mbërritën mijëra emigrantë me anije të nisura nga Afrika e Veriut dhe brenda një dite u shënua niveli rekord i 5.000 personave.

Që nga fillimi i vitit në Itali sipas Ministrisë së Brendshme kanë mbërritur rreth 130.000 emigrantë, shifër kjo dy herë më e lartë se gjatë gjithë 2022-shit.


Top Channel

You may also like