Përveç syve, ky peshk ‘shikon’ edhe me lëkurë – Shqip

by admin
Spread the love

Një lloj i pazakontë peshku ka aftësinë të ‘shohë’ përmes lëkurës. Ky zbulim u bë nga biologia Lori Schweikert gjatë një ekspedite në Florida Keys.

Ajo kapi një peshk që ka aftësinë të ndryshojë ngjyrë dhe e vendosi në kuvertën e varkës. Më pas, kur ajo do ta kalonte në një frigorifer, vuri re se lëkura e peshkut kishte marrë ngjyrën dhe modelin e dyshemesë së varkës.

Peshku e kishte kryer këtë proces edhe pse kishte ngordhur. Nga ky vëzhgim ajo nisi të mendonte se ky lloj peshku mund të kishte aftësinë për të perceptuar dritën përmes lëkurës, në mënyrë të pavarur nga sytë dhe truri.

Në studimin e saj të përbashkët me profesorin Sönke Johnsen, të publikuar në vitin 2018, Schweikert  zbuloi se ADN-ja e kësaj specieje përmban një gjen për një proteinë që i përgjigjet dritës, opsinën e cila aktivizohet brenda trupit të tij.

Gjeni ndryshon nga gjeni i opsinës në sytë e peshkut. Pikërisht kjo aftësi i ndihmon t’i përshtaten mjedisit rrethues.

Nga vëzhgimet në mikroskop të lëkurës së peshkut, rezultoi se i përngjante një pikture ‘pointiliste’,  çdo pikë me ngjyrë ishte në fakt një qelizë e specializuar që quhet kromatofor. Këto të fundit përmbajnë pikëza pigmentesh në ngjyra të ndryshme që ndryshojnë nuancën e lëkurës.

Një tjetër procedurë laboratorike zbuloi se opsina nuk ndodhej te kromatoforet, por një shtresë nën to. Kjo do të thotë se këta peshq mund të ‘shohin’ ndryshimin e ngjyrës së lëkurës së tyre.

Aftësia e përshtatjes së ngjyrës është gjithashtu e pranishme te oktapodët dhe disa lloje hardhucash./tvklan.al

You may also like