Përfundoi Kongresi i thirrur nga Taravari – ja vendimet që u sollën! – Shqip

by admin
Spread the love

Me ftesë të kyetarit të ASH-së, u mbajt sot në Shkup Kongresi i Jashtëzakonshëm i kësaj partie në Shkup ku u sollën një sërë vendimesh, mes tyre edhe ndryshime në Statut. Sipas asaj që thuhet në njoftimin nga Kabineti i taravarit, në Kongres kanë marrë pjesë 421 delegatë, të cilët unanimisht kanë sjellur vendimet e Kongresit. Kongresi, siç thuhet i ka dhënë përkrahje kandidaturës së Arben Taravarit për President të RMV-së, përcjell tvklan.mk.

“U miratua kandidatura për President të Republikës e Kryetarit të Partisë, Arben Taravari, si propozim i Kryesisë së Aleancës për Shqiptarët, përkrahur nga Lidhja Evropiane për Ndryshim, në kuadër të zgjedhjeve presidenciale të 24 prillit dhe 8 majit 2024. U shfuqizuan vendimet e mbledhjes jolegjitime të Kuvendit të Partisë, mbajtur më 10 shkurt 2024, pasi që e njëjta u karakterizua me shkelje të shumta statutare, manipulime dhe falsifikime tanimë të faktuara, për të cilat sot Aleanca për Shqiptarët paralajmëroi ngritjen e një padie penale ndaj abuzuesve. U miratua ndryshimi i statutit të Aleancës për Shqiptarët, duke shfuqizuar ndryshimet statutare të miratuara në Kongresin III të jashtëzakonshëm mbajtur më 24 dhjetor 2022, dhe duke rikthyer versionin paraprak të statutit, miratuar më 27 mars 2022 në Kongresin II të Partisë, me synim të eliminimit të disfunksionaliteteve në vendimmarrjen partiake. Një nga implikimet imediate të këtyre ndryshimeve është heqja e pozitës së Kryetarit të Kuvendit dhe të kompetencave të organit të njohur paraprakisht si Kryesia e ngushtë e partisë”, thuhet në njoftimin e Kabinetit të Taravarit.

Nga ana tjetër, të dielën zhvillohet një tjetër Kongres i kësaj partie, por nga krahu i drejtuar prej ish kryetarit të ASH-së, Ziadin Sela. Kongresi ishte thirrur në mbledhjen e Kuvendit të thirrur nga Ziadin Sela, ndërsa të dy krahët e ASH-së akuzojnë njëra tjetrën për falsifikim nënshkrimesh të kuvendarëve. Beteja mes dy krahëve të ASH-së, sipas gjitha gjasave do të duhet të zgjedhiet në gjykatë./tvklan.mk

You may also like