Për nostalgjikët, një kujtim dashurie retro

by admin
Spread the love

Teksa endesha on line dhe pashë lajmin se Posta Shqiptare ka përzgjedhur automjete nga koleksioni Retro Albania, si editim filatelik për vitin 2022, më përshkoi lirisht një tis nostalgjie dhe kjo, sidoqoftë, mbetet një proces ndërmendjeje intime që kryhet në qetësi (Si koleksionist, ndonëse modest, e pashmangshme joshja për t’iu qasur detajeve.)

Përsiatja më çoi në fëmijërinë dhe rininë time të hershme, në fillimin dhe vijimin e viteve ’80-të në Tiranën e asokohshme. Kujtova zisin ushtarak të çunit të Bakiut, që pothuaj çdo mbrëmje parkohej poshtë pallatit dhe ne i kacavirreshim ngado; triçiklin e Gjonit (ne e quanim Motogjoni), i cili gjëmonte sidomos çdo të dielë verë, kur merrte tërë familjen për të shkuar në plazhin e Durrësit; Motoguzin e Nikut, që gulçonte edhe më shumë, “zbukuruar” me nikelime; Vespën Njaziut, që meqenëse banonte në kat të parë, nga meraku (me të drejtë) përmes një dërrase e fuste brenda; Aron, Fiatin Polak, rrallëherë ndonjë Pezho, që vinin për pak në sheshpushimin e pallatit, për të sjellë ‘kuadro” të ndryshëm banorë, por që ne na e “dhi….n” lojën, autobuzin Saviem të Gjergjit (Xhorxho i thoshim ne) rioshit hokatar të pallatit, që nisi ta parkonte po aty poshtë nga fillimi i ’90-ës (më duket nisi të bënte rrugë për Durrës); Zukun e druve me shkarkuesit sipër (kur vinte ky zhdukeshim që mos të na kërkonin ndihmë për “t’i ngritur”); makinat kamionë të bukës, qumështit, ushqimores, që i kam në kujtesë si imazhe, por që nuk i identifikoj dot.

Kjo ishte vetëm një pjesë e pakët e “paradës” që ndodhte në sheshpushimin tonë. Ndërkohë, meqenëse fillesën e bulevardit (atëherë Stalin), te stacioni i trenit, e kishim veç 30 metra larg, qenë pothuaj të përditshme eskursionet tona eksploruese nëpër të, sidomos në pushimet verore. Soditja e makinave parkuar ngjatë tij ishte thelbi i bredhëritjes, rrjedhojë e faktit se aty rreshtoheshin një varg i rëndësishëm institicionesh, duke nisur që nga Materniteti, Fakulteti i Shkencave, hotel “Arbëria”, godina e gazetës “Zëri i Popullit”, kundruall ajo e “Bashkimit”, hotel “Peza”, “Cirku”, restorant “Donika”, për të mbërritur të hotel “Tirana” dhe Muzeu Kombëtar. Ndërkohë, ndalesa më e rëndësishme ishte te pallatet përballë Bashkimit, poshtë të cilave, meqë e nisëm me filatelinë, ishte edhe i vetmi dyqan filatelik në Tiranë. Në këtë pallat banonin familje të funksionarëve të ambasadave dhe shpesh parkoheshin makina të llojeve dhe linjave të ndryshme nga ato që ndesheshin rëndom. Ndodhte që, kërshëritje-ndezur, silleshim qark ndonjë Sabi, Daça, Volvo, Alfa Romeo, Sitrojeni me dizajn “fantastik”. Përgjithësisht shtyheshim deri te hotel Tirana, pastaj kthim. Edhe pse parada e makinave ishte thuajse e njëjta, ne përditë “nuk i ndaheshim” xhiros.

E pra këtë tiradë nostalgjie personale, që ma ngjalli Retro Albania, po e ndal (shtriqet shumë për t’u shkruar këtu), por besoj se është e domosdoshme të pohohet vlera dhe dobia historiko-kulturore e kësaj nisme, që tashmë funksionon si një projekt i strukturuar së mbari, në përkim me simotrat e saj në Europë. Kjo trashëgimi, e cila deri dje dergjej ahureve, sot mund të soditet nga të gjithë falë ekspozimeve që Retro Albania ka kryer pothuaj në të gjitha qytetet. Gjeneratës time afërmendsh që i sjell përjetime, por është shumë e rëndësishme njohja e këtij koleksioni prej gjeneratave të reja, sepse aty mund të përvijohet, fare mirë një histori e sintetizuar e të shkuarës së afërt të Shqipërisë, sidomos në ndërkohën 1945-1990.

Zanafilla e kesaj nostalgjie u bë DPSHTRR. Meriton vlerësim maksimial që e themeloi Retro Albania si një projekt funksional, larg spontanitetit, pjesores dhe provinciales.

Në shinat e duhura ardhmëria e saj duket të jetë e mbarë.

Eldon Gjikaj

You may also like