PARIS – Macron siguron Ukrainën për ndihmë gjatë konferencës ndërkombëtare të donatorëve

by admin
Spread the love

PARIS, 13 dhjetor /ATSH-DPA/- Presidenti francez, Emmanuel Macron theksoi vendosmërinë e komunitetit ndërkombëtar për të qëndruar pranë Ukrainës gjatë një konference donatorësh sot, në Paris.

“Detyra e menjëhershme është të ndihmojmë popullin ukrainas gjatë dimrit”, tha Macron.

Në konferencë morën pjesë rreth 70 vende, organizata ndërkombëtare dhe Bashkimi Evropian. Qëllimi është të koordinohet ndihma emergjente në fushat e energjisë, transportit, bujqësisë, ujit dhe kujdesit shëndetësor.

“Ky është një sinjal se Ukraina nuk është vetëm”, shtoi Macron.

“BE-ja ka dërguar 40 gjeneratorë të mëdhenj në Ukrainë për të furnizuar spitalet e vendit”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

“Ato do të sigurojnë furnizimin me energji elektrike për 30 spitale në Donetsk, Dnipropetrovsk, Zaporizhiaa, Mykolayiv dhe Kherson”, shtoi ajo.

Von der Leyen njoftoi gjithashtu krijimin e një platforme koordinimi nën kujdesin e BE-së, e cila do të mundësojë dërgimin e shpejtë të ndihmës në Ukrainë.

Për këtë qëllim, këtë javë në Poloni do të ngrihet një magazinë, nga ku do të transportohen ndihmat në rajonet përkatëse në Ukrainë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili mori pjesë përmes nje lidhjeje me video, tha se të gjithë centralet në vend ishin dëmtuar ose shkatërruar nga rusët.//a.i/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like