OJQ-të duan shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të OShP-së që votuan si Kimete Gashi

by admin
Spread the love

Gjashtë organizata të shoqërisë civile (OJQ) po kërkojnë shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP) që kanë votuar njësoj si kryetarja e Panelit Shqyrtues, Kimete Gashi, në rastin e insulinave.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria i propozoi Kuvendit që ta shkarkojë Kimete Gashin.

Kryeministri Albin Kurti, tha se Kimete Gashi ka udhëhequr në marrjen e një vendimi për furnizim me insulina, i cili sipas tij, është i dëmshëm për qytetarët e Kosovës, njofton Shqip.

“Shëndeti publik po rrezikohet me vendimin për furnizimin me insulina. Bazuar në vendimin në fjalë, lejohet furnizimi me insulina pa autorizim marketingu”.

“Detyrohemi të marrim masa. Sot i propozojmë Kuvendit shkarkimin e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, zonjës Kimete Gashi e cila ka udhëhequr vendimin e dëmshëm për qytetarët e Kosovës”, tha kreu i ekzekutivit.

Por, shoqëria civile po thotë se ky vendim është selektiv, i cili “aministon nga përgjegjësia anëtarët e tjerë të Bordit të OShP-së që votuan njëjtë sikurse e propozuara për shkarkim”.

OJQ-të i bëjnë me dije Qeverisë se “votimi në shqyrtimin e prokurimit është i ndërtuar sipas parimit ‘një anëtar, një votë’, pavarësisht rolit të anëtarit në panele, siç janë kryetar, referues apo anëtar”.

“Në frymën e Ligjit për Prokurimin Publik në Kosovë dhe Rregullores së Punës së OShP-së, vota e anëtarëve të paneleve shqyrtuese është e barabartë dhe duhet të bëhet sipas bindjes së lirë së anëtarit në raport me provat dhe argumentet e çështjes kontestimore. Në këtë drejtim, vendimi i sotshëm i qeverisë që anëtaren e OShP-së, Kimete Gashi, t’ia propozojë Kuvendit për shkarkim, me arsyetimin se ajo e ka udhëhequr panelin shqyrtues, i cili përmes një vendimi ka mundësuar importin e insulinave pa autorizim-marketing, është diskriminues dhe selektiv, si dhe cenon parimet Kushtetuese të Republikës së Kosovës, siç është ai i barazisë para ligjit dhe mosdiskriminimit”.

Këto OJQ thonë se roli i Kimete Gashit, sipas procedurës, si kryetare e paneleve shqyrtuese, në rastin e shqyrtimit të tenderit për insulina, është administrativ, bazuar në rregulloren e OShP-së.

Respektivisht, pasojat e vendimeve të nxjerra nga panelet e kryesuara nga ajo, sipas OJQ-ve, nuk mund t’i faturohen vetëm asaj duke pas parasysh se vendimmarrja në këto shqyrtime është kolegjiale.

“Rrjedhimisht, të gjithë anëtarët e paneleve shqyrtuese, që kanë votuar njëjtë si Kimete Gashi, duhet të propozohen për shkarkim, dhe ndaj të njëjtëve duhet të kërkohet llogaridhënie institucionale dhe jo të amnistohen”.

“Andaj, OJQ-të e poshtëshënuara kërkojnë nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të mos aplikojë qasje selektive ndaj anëtarëve të OShP-së, të plotësojë/ndryshojë vendimin për propozimin për shkarkim edhe me anëtarët e tjerë të OShP-së që përmes votimit të tyre kanë mundësuar që në Kosovë të importohen insulina pa autorizim – marketing”, thanë 6 OJQ-të, si në vijim: Kosova Democratic Institute / Transparency International Kosova, Demokraci Plus – D+, Grupi për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, Iniciativa për Progres – INPO, Instituti i Kosovës për Drejtësi – IKD dhe Lëvizja – FOL. /Klankosova.tv

Rrini të informuar mbi zhvillimet kryesore duke u bërë pjesë e komunitetit tonë në Viber

BONUS: Merreni aplikacionin tonë në Android dhe iOS

You may also like