Nuk kam mbaruar me golat, ku ndryshon Sylvinho nga Reja – Shqip

by admin
Spread the love

Kombëtarja vijon përgatitjet në kuadër të ndeshjes së parë eliminatore përballë Polonisë. Këtë të mërkurë kanë zhvilluar një konferencë për shtyp, dy futbollistët e kombëtares kuqezi, Myrto Uzuni dhe Anis Mehmeti.

Uzuni është një nga lojtarët më në formë. Ai ka shënuar 20 gola me ekipin e Granada-s këtë sezon, por thotë se nuk ka mbaruar me kaq. Sa i përket “ngërçit” në kombëtare, Uzuni u shpreh se tashmë është me më shumë eksperiencë.

“Kam shënuar 20 gola dhe nuk kam mbaruar me aq, sepse kanë ngelur akoma ndeshje. Sa i përket kombëtares jam shumë i lumtur që jam stërvitur këtu. Të përfaqësosh vendin është gjëja më e madhe për një futbollist. Tani ndihem më mirë pasi shënoj gola dhe të gjitha energjitë që kam i shfrytëzoj përpara. Ndihem më mirë si qendër sulmues.

Siç e thashë kur vjen në kombëtare është përgjegjësi më e madhe. Tani jam me më shumë eksperiencë dhe jam më i gatshëm dhe mendoj se koha do e tregojë më së miri”, tha Uzuni.

Sulmuesi foli edhe për klimën e re në skuadër me ardhjen e trajnerit Sylvinho, por edhe futbollistëve të rinj. Ai u shpreh se braziliani ka besim të madh tek sulmuesi dhe shpreson që t’ia kthejë mbrapsht gjithë këtë besim.

“Të them të drejtën ndryshimet duhen dhe jam shumë i lumtur për ndryshimin që është bërë në ekipin kombëtar. Është një frymë e re, një mentalitet i ri dhe uroj që të arrijmë rezultate pozitive pasi për atë jemi thirrur këtu. Lojtarëve të rinj u uroj mirëseardhjen dhe shpresoj të adoptohen sa më shpejt që të japin më të mirën. Me trajnerin kam pasur edhe video thirrje kur kam qenë në Granada, por këtu nga afër i urova mirëseardhjen. Trajneri ka shumë besim tek mua dhe uroj që t’ia kthej besimin”, tha Uzuni.

Krahasime mes Sylvinho-s dhe Reja-s nuk bën, por thotë se ndryshojnë tek mentaliteti.

“Mund të them që mentaliteti sepse janë dy trajnerë shumë të ndryshëm nga njëri-tjetri. Por siç e thashë koha do tregojë gjithçka pasi koha është treguesi më i mirë”, u shpreh ai.

Për mesfushorin sulmues, Mehmeti, kombëtarja ka qenë ëndërr. Ai tregoi se ka biseduar me Sylvinho-n dhe ky i fundit i ka thënë që të bëjë ato që ka bërë në kampionat në Angli.

“Është ëndërr për mua dhe për familjen të luaj për kombëtaren shqiptare. Sylvinho ka folur dhe më ka thënë ça duhet të bëj në fushë, çfarë ke bërë në kampionatin në Angli duhet ta bësh këtu”, tha Mehmeti. Ndeshja e 27 Marsit përballë Polonisë, ka një rëndësi të veçantë jo vetëm për pikët, por edhe për moralin e skuadrës. Takimi do të transmetohet në Tv Klan./tvklan.al

 

You may also like