Nuk ka fitues në superfidën e Kategorisë së Parë, Skënderbeu e Flamurtari bëjnë paqe

by admin
Spread the love

Nuk ka fitues në supersfidën e javës së nëntë të Kategorisë së Parë midis Skënderbeut dhe Flamurtarit. Korçarët gjetën të parët rrugën e rrjetës me Abdul, por kundërpërgjigja e shpejtë e Flamurtarit me Flores bëri që ekipet të ndanin nga një pikë në këtë duel.

Pjesa e parë flet më shumë për korçarët që janë dukshëm më kërkues për të zhbllokuar takimin. Të besuarit e Migen Memellit rrisin presionin dhe kërkojnë të kalojnë portierin Kaloshi, por ky i fundit është i vëmndeshëm fillimisht pas një goditjeje me kokë, e më pas ndal Pusin.

Provon për korçarët edhe Liço me një goditje dënimi, por Kaloshi është sërish i vëmendshëm dhe nuk lejon topin të hyjë në rrjetë. Flamurtari nga ana tjetër është pothuajse inekzistent në pjesën e parë dhe nuk krijon raste të rrezikshme. Me rrjeta të paprekura mbyllet pjesa e parë, ndërsa e dyta niset me një tjetër marsh nga ekipet.

Është sërish Skënderbeu që jep sinjalin e parë, por fillimisht pa sukses. Në minutën e 53 mendon Abdul që prish ekuilibrat duke kaluar korçarët në avantazh. Goditja e tij me kokë shkon në rrjetë dhe Skënderbeu krijon idenë se e ka vendosur në shinat e duhura këtë ndeshje.

Megjithatë, avantazhi zgjat shumë pak sepse pas 2 minutash Flamurtari realizon golin e barazimit. Flores depërton mirë pas një aksioni model të vlonjatëve dhe realizon golin që i çon shifrat në 1-1.

Gjithçka në baraspeshë dhe ekipet vihen sërish në kërkim të fitores. Shkëndija e radhës vjen nga Skënderbeu me Pusin, ndërsa Flamurtari kundërpërgjigjet me Jonatan e Iacoveli. Në fund pavarësisht rasteve që nuk mungojnë, ekipet nuk ia dalin dot të çojnë sërish topin në rrjetë.

Sfida përfundon me rezultatin 1-1 dhe ekipet dalin nga kjo supersfidë me një pikë. Pas këtij takimi Flamurtari mban kreun me 18 pikë, po aq sa Dinamo, ndërsa Skënderbeu mban vendin e pestë me 13 pikë, por ka një ndeshje më tepër për të luajtur. /oversport.tv

You may also like