“Nuk duket si Dinamo ime”, Di Biagio: Djemve ua bëra të qartë problemin

by admin
Spread the love

Dinamo City luan në Laç të enjten, duel i javës së gjashtë në Superiore.

Skuadra e Luigi Di Biagios kërkon rikthimin te rezultatet pozitive pas dy disfatave radhazi. Trajneri italian preku disa tema në konferencën për shtypin përpara takimit ndaj bardhezinjve kurbinas.

SITUATA – “Ne vazhdojmë të punojmë në të njëjtën mënyrë, madje më shumë. Është e vërtetë që situata nuk është e mirë në klasifikim. Ndaj ne duhet të rikthehemi të fitojmë ndeshjen tonë të dytë dhe të rinisemi”.

GABIMET – “Mendoj se kemi gabuar me sjelljen ne fushë. Mund të humbasësh apo të fitosh por ajo që ju kam thënë djemve është: nuk dua të shoh një skuadër që nuk duket si skuadra ime. Skuadrat e mia gjithmonë kanë luftuar, kane dhënë gjithçka”.

SHQETËSIMI – “Duket sikur për një muaj e gjysmë s’kemi punuar bashkë, një skuadër pasive, një skuadër që duket sikur pret të pësojë. Një skuadër që nuk do të provojë. Kjo me bezdis, pasi në dy ndeshjet e para ku humbëm isha i kënaqur. Ka ndeshje që humben, por më e keqja është kur sheh një skuadër të dorëhequr që duket sikur pret të pësojë golin. Kjo nuk shkon, për këtë më vjen keq”.

SKUADRA – “Për pjesën tjetër mund të flisnim për arbitrat, organikën, pasi e keni parë çfarë ndodhi në dy ndeshjet e para. Por nuk do më dëgjoni të flas për gabimet arbitrare, sepse ajo që duhet të bëj është të zgjidh këtë situatë. Më shqetëson fakti se përveç golave të pësuar kemi dhuruar 2 apo 3 gola. I kemi dhuruar në kuptimin e plotë të fjalës,  prandaj duhet të jemi më solidë në mbrojtje”.

TAKTIKA – “Po ta shikoni jemi skuadra që krijojmë më shumë nga të gjithë. Duhet të insistojmë dhe të besojmë tek ajo që bëjmë, ky është i vetmi ilaç”.

ASPEKTI MENTAL – “Punojmë gjithmonë psikologjikisht, si kur fitojmë dhe kur humbasim, pastaj është normale që nga jashtë kur gjerat nuk shkojnë mire, mund të flitet për gjithçka”.

KRITIKAT – “I pranojmë gjithë kritikat dhe konsideratat, kam aq eksperiencë për t’i dëgjuar të gjithë”./Supersport


Top Channel

You may also like