Një anije amerikane goditet nga një raketë e rebelëve të Huthit në Gjirin e Adenit, Komanda Qendrore: Vazhdojmë rrugëtimin

by admin
Spread the love

Një anije në pronësi të Shteteve të Bashkuara është goditur të hënën nga një raketë e shkrepur nga rebelët e lëvizjes jemenase, Huthi, në Gjirin e Adenit, njoftuan zyrtarët.

Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara e konfirmoi sulmin dhe i fajësoi rebelët e Huthit për të.

“Anija ka raportuar se nuk ka të lënduar apo dëme të mëdha dhe po e vazhdon rrugëtimin”, tha Komanda Qendrore.

Firmat e sigurisë Ambrey dhe Dryad Global thanë për Associated Press (AP) se anija e goditur ishte Eagle Gibraltar, një anije për transportimin e mallrave me shumicë. Anija është në pronësi të Eagle Bulk nga Konektikati i Shteteve të Bashkuara.

Agjencia detare e Britanisë së Madhe, UKMTO, e cila i mbikëqyr ujërat në Detin e Kuq, tha se sulmi ndodhi rreth 177 kilometra në lindje të Adenit. Huthët e kanë shënjestruar këtë korridor jetik nëpër të cilin kalojnë furnizimet me mallra dhe energji nga Azia dhe Lindja e Mesme në drejtim të Kanalit të Suezit dhe pastaj në Evropë.

Rebelët e Huthit, të cilët mbështeten nga Irani, thonë se sulmet në ngushticën jetike të transportit të mallrave përmes Detit të Kuq po bëhen ndaj anijeve të ndërlidhura me Izraelin, si përgjigje ndaj luftës në Rripin e Gazës.

Forcat britanike dhe ato amerikane ditë më parë i sulmuan objektivat ushtarake të lëvizjes rebele jemenase Huthi, e cila mbështetet nga Irani, duke rritur frikën për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme, teksa luftimet e ashpra po vazhdojnë në Rripin e Gazës.

Të premten, në ditën e parë të sulmeve ajrore të udhëhequra nga SHBA-ja u sulmuan 28 lokacione dhe mbi 60 caqe nga raketat dhe bombat e lëshuara nga avionët luftarakë, luftanijet dhe nëndetëset. Sulmet goditën depo të armëve, radarë dhe qendra komanduese, sipas SHBA-së.

Forcat amerikane kryen, po ashtu, sulme ajrore të shtunën ndaj radarëve të rebelëve të Huthit.


Top Channel

You may also like