Një aleancë kundër Rusisë? Zelensky ka plane me udhëheqësin polak – Shqip

by admin
Spread the love

Udhëheqësi polak dhe ai ukrainas u zotuan të hënën të forconin aleancën e tyre kundër agresionit rus në Ukrainë, duke lënë mënjanë dallimet rreth bllokadës polake të hyrjes së kamionëve ukrainas në Bashkimin Evropian. Në vizitën e tij të parë në Kiev që kur u zgjodh kryeministër i Polonisë, Donald Tusk e cilësoi luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër agresionit rus një “betejë” midis “të mirës dhe së keqes”, duke shtuar, “Polonia do të bëjë gjithçka për të rritur shanset e Ukrainës për fitore në këtë luftë”.

“Siguria e kombit polak dhe shtetit polak është gjithashtu në rrezik nga kjo luftë”, tha Kryeministri Tusk në një konferencë të përbashkët shtypi me Presidentin ukrainas Volodymyr ZelenskY.

Marrëdhëniet midis dy vendeve u përkeqësuan muajt e fundit për shkak të bllokadave polake ndaj kamionëve ukrainas në kufirin mes dy vendeve.

Bllokada e shoferëve polakë të kamionëve, e cila filloi në nëntor, u pezullua javën e kaluar. Ata protestuan kundër hyrjes pa leje të kamionëve ukrainas në BE.

BE-ja hoqi dorë nga sistemi i lejeve për kamionët ukrainas pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë në shkurt 2022, por shoferët polakë të kamionëve duan që ai të rikthehet, duke thënë se të ardhurat e tyre janë goditur nga vendimi i BE-së. Shoferët polakë të kamionëve ranë dakord javën e kaluar të pezullonin protestën deri më 1 mars.

Donald Tusk u rikthye në politikën polake muajin e kaluar pasi shërbeu në postin e Presidentit të Këshillit Evropian.

Kryeministri Tusk dhe Presidenti Zelensky përshëndetën planet për prodhimin e përbashkët të armëve. Zoti ZelenskY tha në një postim në rrjetin social X se ata kishin diskutuar një formë të re bashkëpunimi, që synon blerjet e armëve në shkallë më të gjerë për Ukrainën. Ai nuk dha detaje të tjera për këtë.

Udhëtimi i befasishëm i Kryeministrit Tusk në Kiev përkoi me Ditën e Bashkimit të Ukrainës, që shënon bashkimin e Ukrainës perëndimore me atë lindore në 1919. Ukraina është përballur me pushtime të shumta gjatë historisë së saj të gjatë.

Presidenti Zelensky e shënoi ditën duke nënshkruar një dekret që u ofron shtetësi të dyfishtë ukrainasve që jetojnë jashtë vendit dhe pasardhësve të tyre nga e gjithë bota, përveç atyre në Rusi, si dhe luftëtarëve të huaj që luftojnë përkrah ushtarëve ukrainas për të mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus./VOA

You may also like