Nga disfatat në fushë te problemet ekonomike, Barcelona e zhytur në halle

by admin
Spread the love

Humbja e javë së shkuar në finalen e Superkupës kundër Real Madrid rezultoi “shuplakë” e rëndë për skuadrën e Barçës. Fillimisht u pretendua se ata do të ishin të aftë për të konkurruar “yjet” e “galaktikëve”, por fusha tregoi krejt të kundërtën.

Shifrat e thella 1-4 vunë në dukje se katalanasit nuk kanë lidhje me nocionin favorit, as në La Liga e jo më në Ligën e Kampionëve, aty ku gjenden skuadrat më formën më të mirë në Europë si Bajern Mynih, Mançester Siti apo Reali. Por çfarë ka ndodhur te blaugranët, përse analistët dhe mediumet më të rëndësishme drejtojnë gishtin e fajtorit te trajnerin Ksavi Hernandez?

Nuk duhet harruar fakti se para një viti Barcelona u shpall kampione e Spanjës me opsione të kushtëzuara në tregun e transferimeve dhe ishte ish-mesfushori i Barçës që e orientoi në atë triumf në dukje të pamundur, krah problemeve të pafundme, por që i mbylli gojën të gjithë kritikëve. Më poshtë po ju prezantojmë me disa nga pikat e cekura nga prestigjiozja “Marca” rreth problemeve në “strehën” e Barcelonës.

GJENDJA EKONOMIKE-Bordi ka trashëguar një situatë shumë komplekse nga situatat e mëparshme, por pavarësisht se vitet kanë ndryshuar, gropa ekonomike mbizotëron. Verën e kaluar ata shpenzuan vetëm 3.8 milionë në përforcime, një kuotë vite dritë larg kostove të ekipeve më në zë europiane. Edhe pse uria për të marrë futbollistë të kalibrit botëror është e madhe, arkat e boshatisur ia bëjnë të pamundur sigurimin e emrave “big” në merkato. Vitor Roke zbarkoi si zgjidhje emergjente pas lëndimit të rëndë nga mesfushori Gavi. Ksavi Hernandez ka shprehur dëshirë për përforcime, megjithatë drejtori sportiv në “Spotify Cam Nou” Deko e ka qartësuar se ata nuk i kanë kushtet në planin ekonomik për të goditur me dritaren e transferimeve.

FORMA E DOBËT E LOJTARËVE-Edhe pse në letër lojtarët e sezonit të shkuar janë po ata të sezonit të kaluar, rendimenti i disa prej tyre ka kapur pikën më të ulët. Kunde dhe Arauho janë mes disa emrave në këtë listë. Problemet e prapavijës në ekipin e Ksavit nuk lanë vend për dyshime, pësojnë gola tepër lehtë. Megjithatë, kjo është vetëm njëra anë e medaljes. Lëndimet e shpeshta të Pedrit, Levandovskit, De Jong, apo ato afatgjatë të Gavit dhe MarkAndre ter Shtegen e kanë dëmtuar jashtëzakonisht klubin. Energjia e Pedrit, eleganca e Gavit, konkretizimet e Levës shërbyen si indikatorë për të shtuar në palmaresin e tyre La Ligën në edicionin 2022-2023, ndonëse në ciklin aktual Barça ka marrë profilin e një anije që “fut ujë” në çdo drejtim.

Zhoao Feliks rindez në raste të caktuar frymën pozitive, por që tempi i fikur nga Rafinja ka lënë me “gisht në gojë” bordin, të cilët u diktuan në media mjaft optimist pasi nënshkruan me anësorin brazilian. 4 gola dhe 7 asiste në harkun e 20 prezencave nga të gjitha frontet janë statistikat e lojtarit. Në të njëjtat “ujëra” noton edhe Ferran Tores, çka do të thotë se Barçës i mungon një “fener” ndriçues në pozitën e goleadorit. Për ta bërë analizën më të kompletuar, mjafton të gjykojmë numrat e Levandovskit si “9”, 12 finalizime pas 25 ndeshjesh në të gjithë garat, statistikë e një sulmuesi normalë.

PRESIONI MBI TRAJNERIN-Humbja e Superkupës, hendeku i madh nga kryesuesit në La Liga, pretendimet e ulëta në Ligë e Kampionëve dhe shpresat e vakëta në Kupën e Spanjës bëjnë që posti i Ksavi Hernandez të vihen në rrezik ndjeshëm, madje aq sa të aludohet largimi i parakohshëm. Kjo trysni e shtuar në adresim te teknikut 43-vjeçar thjesht sa ia ka vështirësuar punën. Gati ¾ e grupit të Barçës ka vizituar infermierinë, e cila ka mbartur pasoja negative në ndërtimin e skemave. “Marca” e arsyeton se pika e dobët e Ksavit është mungesa e fjalimeve motivuese në dhomat e zhveshje. Në rastin kur Barcelona u mposht me përmbysje nga Reali me shifrat 1-2, Gyndoan u përpoq të merrte rolin e liderit, ndërsa trajneri mbajti profil të ulët. Skena të tilla flasin qartë se Ksavi nuk e ka autoritetin e duhur mbi ekipin.

PANORAMASPORT.AL

You may also like