Nga basti 50 euro me Klopin te 5 gjuhët e huaja dhe aventurat nëpër botë, rrëfimi i armenit Mkitarian: Ja sekretet e Interit

by admin
Spread the love

Tek Interi po jeton një rini të dytë, por duket se futbolli e ka lodhur shumë dhe nuk ka ndërmend të qëndrojë më në botën e tij pasi t’i japë fund karrierës.

Henrik Mkitarian është një nga lojtarët më të besuar të Simonë Inzagit dhe tregon përmes një rrëfimi karrierën e tij, sekretet e zikaltërve dhe histori të ndryshme me Klopin.

Ju keni qenë gjithmonë makthi i kundërshtarëve. E keni nisur si sulmues krahu?

Në fillim fare isha fantazist, por spostohesha shumë në krah për t’u futur nga qendra.

Pastaj me moshën të spostuan në qendër…

Ekzaktësisht. Mendonin se nuk isha më i shpejtë. (qesh)

Kam parë që keni luajtur edhe në Brazil?

Kam bërë një periudhë prove prej 6 muajsh. Kur isha 13 vjeç, klubi im armen kishte një marrëveshje me Sao Paolon për të shkëmbyer lojtarë. Aty do të shkonin lojtarë të moshës sime, ndërkohë që në Armeni do të shkonin lojtarë 17- 18-vjeçarë.

Pas eksperiencës në Armeni çfarë bëtë?

Në moshën 20-vjeçare shkova në Ukrainë për të luajtur me Metalurg Donjeckun. Kam luajtur vetëm një vit dhe pastaj më kërkoi Shahtjori i Luçeskut.

Aty erdhi shpërthimi…

Po, sepse aty kishim më shumë vëmendje dhe luanim në Champions dhe kishim një skuadër të fortë.

Çfarë pune bëhej aty me Luçeskun?

Ishte një trajner i zoti dhe për të mund të them vetëm gjëra të mira. Kishim 2 përgatitës fizikë italianë dhe na bënin shumë ushtrime. Punonim shumë edhe me topin.

Pastaj u transferuat në Gjermani.

Po. Shkova te Dortmundi për 3 sezone, në fillim me Klopin dhe pastaj me trajnerin Tuhel.

Si është Klop?

Shumë i zoti. Është një psikolog i madh që të jep shumë besim dhe lirshmëri.

Nga jashtë duket një motivues i madh.

Për atë mund të japësh jetën në fushë. Një ditë në një stërvitje ku ishim duke bërë goditje drejt portës më thotë: Nëse shënon 7 gola do të jap 50 euro, në të kundërt do të m’i japësh ti. Shënova vetëm 5 dhe e  humba bastin. Por dy ditë më vonë mundëm Frankfurtin falë dopietës sime. Pas ndeshjes shkova e përqafova dhe i thashë të më kthente 50 eurot.

Ju keni luajtur në shumë kampionate të rëndësishëm. Çfarë diferencash keni gjetur?

Kam luajtur në shumë turne të ndryshëm që nga koha kur kam nisur dhe futbolli ka ndryshuar shumë. Kam hasur shumë vështirësi kudo. Në Angli është futboll shumë fizik, në Gjermani ka disiplinë dhe lirshmëri njëkohësisht. Në atë kohë nuk kishte lojtarë të shpejtë, ndërsa sot futbolli është mbushur me Usain Bolt që vrapojnë pafund. Unë që jam 35-vjeç nuk arrij dot t’i përballoj.

Ku je ndier më mirë?

Në Itali. Në Romë dhe në Milano.

Keni luajtur edhe me Junajtidin dhe Arsenalin, ku në fakt nuk bëtë mirë.

Nuk isha keq, por unë shkova sepse më kërkoi Vengeri dhe më shkëmbyen me Sançezin. Pas 6 muajsh Venger u largua dhe erdhi Emeri. Ai provoi t’i përshtatej futbollit anglez…

Mund ta përfundoni karrierën tek Interi?

Kam ende edhe 2 vite kontratë dhe të shohim nëse do t’ia dal t’i përfundoj. Unë them gjithmonë që do të luaj aq sa të mos kem pengje.

A ndihesh mirë me shokët?

Shumë. Shoh që të gjithë më duan të mirën. Më vjen mirë për këtë. Që nga dita e parë kuptova sikur kisha një jetë që luaja me Interin.

Përveç Interit, në kë skuadër tjetër je ndier mirë?

Kudo kam qenë mirë. Këtu po kalojmë një periudhë pozitive sepse po fitojmë. Kur humbet nisin thashethemet mes lojtarëve dhe krijohet energji negative. Por shpresojmë që të mos ndodhë kjo.

Sa gjuhë flet?

Pesë: Armenisht, rusisht, anglisht, frëngjisht dhe italisht. Gjermanishten e kam harruar. E mësova dhe flisja shumë mirë, por që kur u largova nuk fola më kurrë.

Me Çalhanoglunë çfarë gjuhe flet?

Anglisht. Edhe pse kur e dëgjon atë duket si gjermanisht.

Ju keni qenë kapiten në një moshë të re.

Po. Që tek Metalurgu që më dha shiritin për të më bindur që të mos largohesha te Shahtjori. Pastaj kam mbajtur shiritin edhe me Romën kundër Salernitanës dhe në kombëtare që nga viti 2015. Ka shumë përgjegjësi, por unë jam nga ata që nuk tremben. Unë nëse mendoj që e bëj diçka do ta çoj deri në fund. Në të kundërt bëj një hap mbrapa.

Lautaro çfarë kapiteni është?

Në një intervistë tjetër unë kam thënë se ai edhe pa shiritin e kapitenit është një lider. Po shënon shumë dhe është i rëndësishëm për këtë skuadër.

Po e tregon nga ndeshja në ndeshje. Nuk është çështje shiriti, por mënyra si sillesh në fushë. Një lider është i tillë edhe pa qenë kapiten. Barela për shembull nuk ka shirit, por bën disa gjëra që të lënë me gojë të hapur. Tek Interi jemi 25 kapitenë.

Keni menduar për periudhën pasi të lini futbollin?

Kam shumë mendime, por ndoshta nuk do të qëndroj në futboll. Ka shumë gjëra të tjera të bukura në jetë. Të kaloj shumë kohë me familjen dhe miqtë. Dua të mësoj të gatuaj për shembull.

Ju jeni i diplomuar?

Po. Për ekonomi dhe menaxhim futbolli. Të dyja në Armeni.

Çfarë trajneri është Inzagi?

Shumë i zoti. E di mirë kur duhet të bëjë shaka dhe kur duhet të jetë serioz. Që në ditën e parë kam pasur një raport korrekt dhe të shkëlqyer me të.

Ju do të bëheni trajner?

Jo. Kam kaluar shumë kohë në qendrat stërvitore dhe në stërvitje. Nuk kam ndërmend që të qëndroj akoma më shumë edhe si trajner, të analizoj stërvitjet, ndeshjet, kundërshtarin. Nuk kam shumë nerva për këtë.

Cila është pika më e fortë e këtij Interi?

Përtej faktit që grupi i lojtarëve është i jashtëzakonshëm, vlen shumë fakti që ndihemi shumë mirë njëri me tjetrin. Në fushën e lojës kuptohemi me një shikim dhe e dimë menjëherë se çfarë do të bëjë shoku me topin dhe ku do të shkojmë. Kjo është forca jonë më e madhe.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

You may also like