Në Loro Boriçi nuk ka fitues, Vllaznia e Craiova bëjnë paqe

by admin
Spread the love

Vllaznia është ndalur në një barazim në ndeshjen e parë të aventurës europiane përballë Universitatea Craiova. Sfida në “Loro Boriçi” përfundoi me rezultatin 1-1 ku rumunët kaluan të parët në avantazh me anë të një 11-metërshi në fundin e pjesës së parë, ndërsa për Vllazninë ishte Hoxhaj ai që vendosi gjithçka në baraspeshë.

Ndeshja nis qetë për të dyja ekipet që provojnë të gjejnë hapësira, por pa sukses. Gradualisht rritet edhe rreziku me Craiovan që krijon disa raste më të mira sesa Vllaznia. Në fundin e pjesës së parë miqtë fitojnë edhe një 11-metërsh që kthehet në gol nga Ivan.

Josa nuk humbet kohë dhe në startin e pjesës së dytë hedh menjëherë në fushë Herald Markun dhe Ardit Hoxhajn. Ishte pikërisht kjo dyshe që kombinoi mjaft bukur në fillimin e pjesës së dytë dhe Hoxhaj çoi topin në rrjetë pas asistit të Markut.

Shifrat janë 1-1 dhe Vllaznia vazhdon të luajë një ndeshje me besim të plotë se mund të dalë me një rezultat pozitiv nga ky takim. Të besuarit e Josës nuk lënë shumë hapësira pas, njësoj si kundërshtarët dhe sfida përfundon në barazim 1-1.

Një rezultat disi pozitiv për Vllazninë që luan shanset e saj të kualifikimit në sfidën e kthimit që do të zhvillohet në Rumani. Edhe pse kundërshtarët ishin më të fortë në letër shkodranët zhvilluan një ndeshje me nivel të mirë. /oversport.tv

 

You may also like