Në 100 ditëshin e fundit Qeveria do të ketë kryeministër shqiptar – Shqip

by admin
Spread the love

VMRO – DPMNE: KJO VËRTETON SE KOVAÇEVSKI NUK ËSHTË KRYEMINISTËR LEGJITIM

Pas deklaratës të ministrit të Jashtëm, Bujar Osmani edhe zëvendëskryeministri i parë, Artan Grubi mbrëmë deklaroi se, brenda disa muajve Qeveria e Maqedonisë së Veriut do të ketë kryeministrin e parë shqiptar. Ai, sic percjell KlanM, gjatë emisionit Debat Plus në televizionin e Kosovës Dukagjini, tha se, para se të zgjidhet Dimitar Kovaçevski për kryeministër, kanë biseduar për këtë temë dhe janë dakorduar që në 100 ditëshin e fundit të qeverisë, në vend të Kovaçevskit të vihet në pozitë një shqiptar.

“Në takimin e parë që kishim akoma pa u zgjedhur ai kryeministër, ishte edhe zotëri Zoran Zaev, ishte ish sekretari i përgjithshëm, Lupço Nikollovski dhe kryetari i ri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili më pas u bë edhe kryeministër dhe ai u zotua aty në takim para gjithëve që e njëjta marrëveshje që e kishte arritur me zotin Ali Ahmeti do të jetë valide edhe gjatë mandatit të tij dhe ia shtruam dorën njëri tjetrit. E ka thënë këtë dhe publikisht, që në 100 ditëshin e fundit kë kësaj qeverisje kurdo qoftë që është ajo, ai do largohet nga posti i kryeministrit, ndërsa një shqiptar tjetër apo një shqiptarë do të jetë kryeministre” – deklaroi Artan Grubi.

Ndaj këtyre deklaratave kanë reaguar nga VMRO – DPMNE. Zëdhënësi i kësaj partie, Naum Stoilkovski, tha se kjo është dëshmi se Dimitar Kovaçevski, të gjithë e shohin si të përkohshëm, jolegjitim, kryeministër pa autoritet në opinion, i cili sipas tij, së shpejt do të ndërrohet.

“Ky është konfirmim se, BDI ia numëron muajt Kovaçevski, konfirmim se Dimitar Kovaçevski e shohin të gjithë si të përkohshëm, jolegjitim, kryeministër pa autoritet në opinion dhe mes ministrave, ndërsa parterët qeveritar e shohin si të përkohshëm i cili së shpejti do të ndërrohet. Ky është konfirmim edhe se, Kovaçevski i cili fitoi kolltukun si dhuratë, ndërsa tani e ruan për Artan Grubin” – tha Naum Stoilkovski.

Idenë për kryeministër të parë shqiptar, BDI e shpalosi në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, i cili ishte edhe premtimi kryesor.

Në këtë fushatë, partia promovoi si kandidat për kryeministër Naser Zyberin, i cili më pas u zgjodh avokat i popullit. Megjithatë pas zgjedhjeve, BDI dhe LSDM u morën vesh që, kryeministër të jetë lideri i atëhershëm i LSDM-së, Zoran Zaev, ndërsa 100 ditët e fundit të Qeverisë të tërhiqet dhe në pozitë të vendoset një shqiptar. /KlanMacedonia/

Përgatiti: Teuta Buçi

You may also like